Lajme

Kosovë: Kërkohet dënim për personat që sulmojnë zyrtarët policorë


Policia e Kosovës,

Sindikata e Policisë së Kosovës, përmes një komunikate ka kërkuar që të gjithë ata që ngrenë dorë kundër Policisë të marrin dënimin e merituar.

Sipas tyre, rastet e sulmeve ndaj zyrtarëve policor janë rritur viteve të fundit.

“Sulmet ndaj zyrtarëve policor janë shpeshtuar, kjo ndodh nga persona të cilët kryejnë vepra të ndryshme penale e të cilët sillen vërdallë përkundër asaj që do të duhej të ishin prapa grilave për veprat të ndryshme penale të kryera më pare”, thuhet në komunikatën e sindikatës së policisë.

Kërkesë e tyre nga organet e drejtësisë është që për të gjithë ata që ngrenë dorë kundër Policisë së Kosovës të veprohet sipas Ligjit.

Policia e Kosovës,

“Veprimet e organeve të drejtësisë në bazë të ligjit dhe sanksionimit të të gjithë atyre që sulmojnë policin do të ishte preventivë për parandalimin e sulmeve ndaj zyrtarëve policorë”, thuhet tutje.

PK-ja, tutje thekson rastin e fundit të sulmit ndaj zyrtarëve të policisë.

“Një rast i tillë ndodhi me datë 10.01.2022 në Suharekë, ku nga një i dyshuar për dhunë në familje, recidivist i veprave penale, gjatë intervenimit sulmohen zyrtarët policor të cilët marrin lëndime të rënda trupore”, thuhet në njoftim.

Tutje shtohet se, “kushdo që sulmon Policinë e Kosovës ka sulmuar shtetin e Kosovës dhe kjo duhet të konsiderohet si vepër e rëndë penale”.

Po ashtu, me tetë janar, Sindikata e Policisë së Kosovës, ka reaguar ndaj fajësimit të PK-së lidhur me rastin e vrasjes së gruas 48 vjeçare në Llaushë të Skenderajt.

Përmes një reagimi publik ata kanë thënë se Policia i përgjigjet çdo thirrje që paraqitet nga qytetarët dhe çdo rast e trajton me përgjegjësi dhe profesionalizëm.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore