Kosova

Policia për vrasjen në Skenderaj: Po fajësohemi pa arsye


Polica e Kosovës.

Sindikata e Policisë së Kosovës, ka reaguar ndaj fajësimit të PK-së lidhur me rastin e vrasjes së gruas 48 vjeçare në Llaushë të Skenderajt.

Përmes një reagimi publik ata kanë thënë se Policia i përgjigjet çdo thirrje që paraqitet nga qytetarët dhe çdo rast e trajton me përgjegjësi dhe profesionalizëm.

“Sindikata e Policisë së Kosovës kërkon nga të gjitha institucionet Qeveritare dhe jo qeveritare që mos të fajësojnë Policinë pa arsye sepse po njollosemi dhe po dëmtohemi edhe si institucion edhe individualisht vetëm e vetëm që jemi të parët që i përgjigjemi çdo rasti duke rrezikuar edhe jetën”, thuhet në reagimin e PK-së.

Duke apeluar, se para fajësimit të mësohen kompetencat e Policisë.

“Të gjitha veprimet hetimore, policia, i kryen sipas urdhrave të prokurorit, prandaj të gjithë ata që duan t’a fajësojnë Policinë fillimisht duhet t’i din kompetencat e Policisë, Prokurorisë dhe të Gjykatës”.

Polica e Kosovës.

Ndërsa, sqaron edhe orën e ndalimit të personave në mbajtje që mund të bëhet nga ana e Policisë.

“Policia ka të drejtë t’a mbajë të ndaluar një person vetëm gjashtë orë, kurse për ndalim prej 48 orëve vendos Prokurori dhe për caktim paraburgimi vendos Gjyqtari i procedurës paraprake, prandaj Policia është vetëm ekzekutuese e këtyre vendimeve”.

Tutje, në reagim thuhet se, Policia e Kosovës është dhe do të mbetet gjithmonë në mbrojtje të jetës, pasurisë, rendit dhe qetësisë për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, kurse Sindikata e Policisë do t’i mbrojë të drejtat e të gjithë pjesëtarëve të Policisë.

Më pesë janar, një grua është vrarë me armë zjarri në fshatin Llaushë të Skenderajt të mërkurën pasdite.

Kryeprokurori i Shtetit i Republikës së Kosovës, Aleksandër Lumezi, ka kërkuar nga Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, Ismet Ujkani, si autoritet kompetent, që të shqyrtojë të gjitha veprimet e prokurores lidhur me rastin e viktimës L.Q. nga fshati Llaushë e Skenderajt.

Po ashtu, nga të gjeturat eventuale t’i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme sipas Ligjit për përgjegjësinë disiplinore të gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Këtë të premte në mesditë është protestuar në qytetin e Skenderajt kundër dhunës dhe vrasjes së grave, pas vrasjes së Lirije Qerimaj nga bashkëshorti i saj në fshatin Llaushë të Skenderajt.

Protesta paqësore është organizuar nga OJQ ‘Gratë Intelektuale të Drenicës’. Protesta ka filluar në ora 12:00 nga sheshi “Adem Jashari”, për të vazhduar te Gjykata në Skenderaj, ndërsa marshi ka përfunduar para stacionit policor.

Thirrjet e grave ndaj shtetit.

Lirije Qerimaj ishte vrarë me pesë janar me armë zjarri ndërsa i dyshuari ishte arrestuar menjëherë nga Policia e Kosovës, ndërsa ishte konfiskuar edhe arma me të cilën dyshohet se është përdorur në rast.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore