Zgjedhjet në Kosovë

Kosovë: Janë duke u rinumëruar 141 vendvotime


Zëdhënësi i Komisionit Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë, Valmir Elezi, në një konferencë për medie ka thënë se KQZ sipas vendimeve të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa është duke rinumëruar 141 vendvotime.

“Gjatë ditës së hënë kemi filluar me numërimin e votave me kusht ndërsa të martën kemi përfunduar me numërimin e votave të cilat kanë ardhur nga jashtë vendit. Kështu ka qenë vendimi i Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, pra për të rinumëruar votat e kandidatëve të subjektit politik Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës. Në vazhdim KQZ është duke numëruar vendvotime të tjera sipas vendimeve të PZAP-së”, ka thënë Elezi.

Tutje ai ka treguar se janë rreth shtatë vendvotime për të cilat KQZ-ja ka vendosur t’i rinumëroj.

“Në përgjithësi janë 134 vendvotime për të cilat ka PZAP ka vendosur që të rinumërohen dhe shtatë të tjera janë me vendim të KQZ-së”, shtoi ai.

Po ashtu, Elezi ka theksuar se ky proces pritet të përfundojë shumë shpejtë sepse rinumërimi është i pjesshëm.

“Nuk kemi të bëjmë me rinumërim të plotë i cili do të na merrte kohë disa orë. Pra po flasim për rinumërime të pjesshme dhe në një vendvotim zakonisht rinumërimi bëhet për një kohë shumë të shkurtë”, tregoi Elezi.

Sa i përket rezultateve, “ato do të publikohen në një kohë që sapo të jenë të gatshme pasi të përfundojnë të gjitha procedurat që parashihen në QNR sepse ato të dhëna të cilat merren duhet kohë derisa të hyjnë sërish në sistem, të gjenerohen dhe natyrisht KQZ-ja do t’i publikojë në një kohë optimale”.

 

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore