Lajme

Kosovë: Besnik Tahiri emërohet ministër i Punëve të Jashtme


Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, ka emëruar zëvendësin e tij Besnik Tahirin, si ministër të Punëve të Jashtme dhe Diasporës, thuhet në komunikatën e Qeverisë.

Ky emërim vjen menjëherë pas dorëheqjes dhe lirimit nga detyra e ministres në detyrë të Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj-Stublla.

Haradina-Stublla në mëngjesin e së martës ka dhënë dorëheqje edhe nga të gjitha funksionet në partinë Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Këtë e ka bërë të ditur ajo përmes një shkrimi në llogarinë e saj në Facebook.

“Edhe pse në rrethana ende të pasqaruara, e ndodhur në mes të një skeme piramidale të njollosjes, linçimit, presionit, manipulimit dhe shantazhit ndaj meje dhe familjes sime, e konsideroj obligim moral dhe gjënë më të drejtë, dorëheqjen e menjëhershme nga pozita e Ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, nga të gjitha funksionet në partinë Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, dhe nga anëtarësia”, ka shkruar ajo.

Lidhur me këtë rast edhe rrjeti i organizatave jo-qeveritare, Demokracia në Veprim, pati kërkuar nga prokurori i shtetit të hetohen rastet, në të cilat dyshohet se ka falsifikim të votave të kandidatëve brenda subjektit politik.

“Prokuroria duhet që në bashkëpunim me Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe Sekretariatin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, të veprojë në drejtim të gjetjes dhe arrestimit të personave që dyshohen se kanë falsifikuar rezultatin e votimeve”, ka shkruar DnV në faqen zyrtare në Facebook.

 

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore