Zgjedhjet në Kosovë

Kosovë: Aprovohen 35 mijë fletëvotime nga diaspora


Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve nga 43 mijë e 500 pako me fletëvotime nga diaspora, aprovohen rreth 35 mijë fletëvotime dhe janë refuzuar rreth 14 mijë.

“Sipas të dhënave më të fundit janë hapur 31 mijë e 164 pako të supozuara me fletëvotime, prej nga kemi të aprovuara 35 mijë e 834 zarfe me fletëvotime dhe 14 mijë e 200 zarfe të refuzuara”, ka thënë zëdhënësi i komisioni Qendror të Zgjedhjeve në Kosovë, Valmir Elezi, në një konferencë për medie.

Ai ka shpjeguar se arsyet e mos aprovimit të këtyre fletëvotimeve janë të ndryshme të cilat janë bërë të ditura edhe më parë.

“Gjashtë mijë e 309 zarfe janë dërguar nga persona që nuk janë të regjistruar si votues jashtë Kosovës, katër mijë e 521 zarfe janë dërguar nga persona që nuk kanë arritur të regjistrohen si votues jashtë Kosovës, 991 votues kanë dërguar fletëvotime nga dy herë, një mijë e 808 zarfe të dërguara nga votues të paidentifikuar dhe 571 zarfe të dërguara nga votues të cilët kanë bashkangjitur dokumente jo valide për identifikim”, tha Elezi.

Tutje ai ka treguar se nga 494 vendvotime janë rinumëruar votat e 161 prej tyre apo 33 për qind.

“Deri më tani janë rinumëruar 33 për qind apo 161 vendvotime nga 494 sa është numri i përgjithshëm i tyre dhe që u takojnë komunave të ndryshme të Kosovës”, ka thënë Elezi.

Ai ka treguar se KQZ është duke vazhduar me përmbushjen e detyrimeve ligjore me qëllim të përmbylljes së procesit zgjedhor.

“Me qëllim që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të mund të shpall sa më shpejt rezultatet përfundimtare për subjektet politike dhe kandidatët, ka shtuar kapacitetet e numërimit në QNR, e po ashtu, edhe kapacitetet e shërbimit votues që po bën vlerësimin e pakove të supozuara me fletëvotime nga jashtë Kosovës”, përfundoi ai.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore