Lajme

“Kosova t’i qaset me mendje të hapur integrimit rajonal ekonomik”


Flamuri i SHBA-së dhe i Kosovës pranë ndërtesës së Qeverisë së Kosovës në Prishtinë.

“Inkurajojmë Qeverinë e Kosovës që t’i qaset përpjekjeve për integrim rajonal ekonomik me mendje të hapur dhe të përqafojë zgjidhjet që japin rezultate për kosovarët, teksa përmirësojnë raportet me fqinjët e saj”.

Kështu ka thënë zyra për komunikim publik e ambasadës amerikane në Prishtinë, në një prononcim për Radio Evropa e Lirë, kur pyetet lidhur me refuzimin e Qeverisë së Kosovës për t’iu bashkuar iniciativës “Ballkani i Hapur”.

Në inicativën “Mini Shengeni”, që tashmë ka marrë emërtimin “Ballkani i Hapur”, një javë më parë morrën pjesë tre krerët e Ballkanit Perëndimor, duke përfshirë Shqipërinë, Serbinë dhe Maqedoninë e Veriut.

I pranishëm në këtë iniciativë nuk ishte edhe Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, për të cilin “Mini-Shengeni” është “nismë pa vizion për rajonin”.

Por, Ambasada amerikane në Prishtinë ka thënë se integrimi më i fortë ekonomik dhe politik “është thelbësor për paqe të qëndrueshme dhe prosperitet, dhe po ashtu do të forcojë përpjekjet ekzistuese të Kosovës për të përmbushur reformat e kërkuara për pranimin në BE në të ardhmen”.

“Ne inkurajojmë Kosovën që të kërkojë mundësi për të zvogëluar barrierat tregtare, për të rritur konkurrencën e saj ekonomike dhe për të ndërtuar një rajon të integruar dhe ekonomi të qëndrueshme që do të jetë në të mirë të të gjithë kosovarëve”, thuhet në përgjigjen e Ambasadës amerikane.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, homologu i tij maqedonas, Zoran Zaev dhe Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, kanë konkretizuar dy marrëveshje të reja në kuadër të implementimit të katër lirive themelore të Bashkimit Evropian.

Marrëveshja e parë dhe më e rëndësishme është ajo e tregtisë së lirë midis tre vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Kurse marrëveshja e dytë është ajo në kuadër të “agjendës së gjelbër”. Në të përfshihet mbrojtja dhe shpëtimi nga katastrofat natyrore për Ballkanin Perëndimor. Kjo agjendë synon njëkohësisht njehsimin me atë evropiane.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore