Lajme

Kosova s’u ftua në samitin e SHBA-së, Kurti: S’ka asgjë për t’u shqetësuar


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, për herë të parë ka komentuar mosftesën nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për Samitin për Demokraci.

Ai në një tubim të Lëvizjes Vetëvendosje në Podujevë tha se nuk asgjë për të u shqetësuar se Kosova nuk është ftuar nga SHBA.

“Nuk ka asgjë për tu shqetësuar e kemi shpjeguar edhe më herët e këtë e ka bërë shumë thjesht edhe Ambasada Amerikane”, tha Kurti pasi u pyet nga gazetarët.

Arsyen e mos ftesës së Kosovës në Samit e ka dhënë edhe ambasada e SHBA-ve në Kosovë.

Ambasada amerikane ka thënë për mediat lokale në Kosovë se jo të gjithë partnerët kanë mundur të akomodohen në këtë iniciativë.

“Qëllimi ka qenë që të bashkohet një grup rajonal dhe socio-ekonomik i vendeve dhe juridiksioneve, duke përfshirë demokracitë më të zhvilluara dhe ato në zhvillim me diversitet në popullsi, demografi dhe vendndodhje”, është thënë në përgjigjen e Ambasadës.

Harta e publikuar nga “Politico”

Megjithatë, në përgjigje është thënë se SHBA-ja vazhdon të jetë e përkushtuar për të punuar me Kosovën në forumet tjera për të avancuar në forcim të demokracisë.

Kurse, mediumi prestigjioz amerikan “Politico” të premten e pesë tetorit, publikoi listën e 100 shteteve pjesëmarrëse në këtë samit, por se aty nuk figuroi Kosova.

Presidenti i SHBA-ve, Joe Biden do të jetë nikoqir i këtij Samiti virtual i cili do të mbahet më 9 dhe 10 dhjetor.

Ndërsa bëhet e ditur se pjesëmarrës do të jenë udhëheqës të qeverive, shoqërisë civile dhe sektorit privat, ku diskutimi do të fokusohet në sfidat dhe mundësitë me të cilat përballet demokracia dhe do të ofrojë një platformë ku udhëheqësit angazhohen, individualisht ose kolektivisht, për të mbrojtur demokracinë dhe të drejtat e njeriut.

Mediumi “Politico” ka siguruar listën përmes burimeve të saja, ani pse lista zyrtare ende nuk është bërë e ditur.

Kurse, Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut tashmë kanë pranuar ftesat.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore