Lajme

Ambasada e SHBA-ve konfirmon se Kosova u la jashtë Samitit për Demokraci


Ambasada e SHBA-ve në Prishtinë

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) në Kosovë ka konfirmuar se Kosova nuk është ftuar në Samitin për Demokraci, samit ky i cili do të mbahet për herë të parë në SHBA.

“Jo të gjithë partnerët mund të akomodohen në këtë nismë”.

“Samiti për Demokraci i Presidentit është një nga shumë nismat amerikane e fokusuar në avancimin e demokracisë, luftimit të korrupsionit dhe promovimin e respektimit të të drejtave të njeriut anë e mbanë botës”, thuhet në një përgjigje të ambasadës amerikane në Prishtinë për Telegraf.

Megjithatë, në njoftim të ambasadës amerikane thuhet po ashtu se pavarësisht kësaj, SHBA mbetet partnere e palëkundur e Kosovës në ndërtim të demokracisë.

“Sikur e ka spikatur edhe presidenti Biden në video-adresimin e tij të gushtit, Kosova ka shënuar ‘progres të jashtëzakonshëm gjatë 20 viteve të fundit’ në ndërtimin e një demokracie multietnike dhe të qëndrueshme”.

“Si partnere e palëkundur e Kosovës, SHBA-ja mbetet e përkushtuar që të punojë me Kosovën në forumet tjera për të avancuar dhe fuqizuar demokracinë, parandaluar rrëshqitjen demokratike, promovuar respektimin e të drejtave të njeriut, dhe për të luftuar korrupsionin, me qëllim që bashkë të dëshmojmë se demokracitë angazhohen për nevojat e qytetarëve të tyre”, thuhet në përgjigje.

Kurse mediumi prestigjioz amerikan “Politico” të premten e pesë tetorit, publikoi listën e 100 shteteve pjesëmarrëse në këtë samit, por se aty nuk figuroi Kosova.

Presidenti i SHBA-ve, Joe Biden do të jetë nikoqir i këtij Samiti virtual i cili do të mbahet më 9 dhe 10 dhjetor.

Ndërsa bëhet e ditur se pjesëmarrës do të jenë udhëheqës të qeverive, shoqërisë civile dhe sektorit privat, ku diskutimi do të fokusohet në sfidat dhe mundësitë me të cilat përballet demokracia dhe do të ofrojë një platformë ku udhëheqësit angazhohen, individualisht ose kolektivisht, për të mbrojtur demokracinë dhe të drejtat e njeriut.

Harta e publikuar nga “Politico”

Ende konfidenciale mbetet agjenda e këtij Samiti, mirëpo është kuptuar se ekipi i presidentit Biden është duke punuar për të formësuar atë.

Mediumi “Politico” ka siguruar listën përmes burimeve të saja, ani pse lista zyrtare ende nuk është bërë e ditur.

Në këtë listë të publikuar nga “Politico”, përveç Kosovës, nuk është ftuar as Serbia , as Bosnja dhe Hercegovina.

Kure, Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut tashmë kanë pranuar ftesat.

Qeveria e Kosovës ka zgjedhur të jetë e heshtur deri më tani lidhur me mos-ftesën për Samit.

Ndërsa rreth mungesës së ftesës për pjesëmarrje në Samitin e Demokracive është alarmuese jo aq për shkak të peshës së këtij samiti sa për faktin se kjo e sinjalizon një acarim të rëndë në marrëdhëniet dypalëshe të Kosovës me SHBA-të, ka komentuar Agon Maliqi, studiues dhe analist, për Albanian Post.

“Kosova me këtë vendim është futur nga SHBA në një grup të vogël dhe aspak prestigjioz shtetesh të prira nga autokratë anti-perëndimorë si Serbia, Bosnja (për shkak të Dodikut), Bjellorusia dhe Hungaria (Orban)”, ka shpjeguar Maliqi.

Agon Maliqi, analist

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore