Shqipëria

Kosova ka qarkulluar një ‘non paper’ e jo Shqipëria, shpjegon MEPJ për AP


Një lajm i publikuar nga mediat serbe bëri bujë, pasi u pretendua se një dokument i njohur si i tipit non paper ishte dorëzuar nga Shqipëria pranë Komitetit të Ministrave në Këshillin e Evropës, me qëllim lobimin e pranimit të Kosovës në organin e lartë evropian.

Mirëpo, nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme në Shqipëri, e konfirmojnë qartësisht për Albanian Post se nuk ka pasur të tillë dokument lobimit. Përkundrazi, ai non paper, është dorëzuar nga pala kosovare.

“Pala kosovare ka qarkulluar një non paper e jo ne”, është qëndrimi zyrtar nga MEPJ-ja.

Sipas këtij dokumenti që është parë nga redaksia e Albanian Post, non paper-i është depozituar katër ditë më parë dhe në theksin kryesor, ka faktin se kandidatura e Kosovës, mbështetet nga një numër shumë i madh vendesh, të cilat janë aderuese në Këshillin e Evropës.

Çfarë shkruhet konkretisht aty?

“Republika e Kosovës është e gëzuar të njoftojë aplikimin për anëtarësim që tashmë përkrahet nga një numër i madh i shteteve anëtare të KiE-së. Bisedimet e fundit me anëtarët e Asamblesë Parlamentare kanë treguar për përkrahje të fuqishme për këtë anëtarësim”.

Kështu nis dokumenti i publikuar, i cili është parë edhe nga redaksia e Albanian Post.

Më tej, shtohet fakti se kërkesa që Kosova ka bërë, nuk e prek vendimin e shteteve, të cilat nuk e njohin Kosovën.

Një shembull konkret, i cili përmendet në dokument, është edhe ai i Zvicrës.

Këta të fundit, nuk janë anëtarë të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (njëjtë si Kosova), por janë nga ana tjetër aderues dhe anëtarë të KiE-së.

“Pozicioni ligjor i Këshillit të Evropës nuk ka qenë asnjëherë që një shtet që s’është anëtar i Kombeve të Bashkuara s’mund të bëhet anëtare e kësaj organizata. Përndryshe anëtarësimi i Zvicrës që është bërë në vitin 1963 në Këshillin e Evropës s’ka qenë anëtare e OKB-së deri në vitin 2002”, vijon më tej dokumenti.

Një aspekt tjetër me shumë rëndësi, i cili përmendet në dokumentin e publikuar, është edhe ai i vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, i vitit 2012, në të cilin thuhet qartësisht se “adaptimi i Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës, më 17 shkurt 2008, nuk ka kryer shkelje të ligjeve ndërkombëtare”.

Kosova ka aplikuar më 12 maj për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Aplikimin në selinë e Këshillit të Evropës, në Strasburg, e ka bërë ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës, Donika Gërvalla.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore