Lajme

“Kosova ka potencial të bëhet Silicon Valley i Evropës”


Eurodeputeti austriak Lukas Mandl gjatë takimit me presidenten Vjosa Osmani

Eurodeputeti austriak, Lukas Mandl, gjatë takimit me presidenten Vjosa Osmani, ka vlerësuar kapacitetin e të rinjve në Kosovë, veçanërisht në fushën e teknologjisë informative.

Mandl tha se “shumë specialistë të rinj të IT-së meritojnë të përmenden. Republika e Kosovës ka potencial të bëhet, si të thuash, ngjashëm me Silicon Valleyn e Evropës”, tha eurodeputeti austriak, Lukas Mandl.

Silicon Valley, që gjendet në San Francisco Bay në Kaliforni, është shtëpi e shumë kompanive start-up dhe kompanive teknologjike.

“Republika e Kosovës është shteti më i ri i Evropës, që ka ende sfida para vetes në rrugën drejt Bashkimit Evropian. Por, mundësitë e konsiderueshme të Republikës për të ardhmen, i inkurajojnë njerëzit të përvjelin mëngët e ta marrin atë në konsideratë. Angazhimi i madh i shumë kosovarëve është një burim i forcës, për ta çuar vendin në një të ardhme të qëndrueshme ekonomike”, ka thënë Mandl.

Ndërsa Osmani është shprehur se Republika e Kosovës ka miq të përkushtuar në Austri.

“Falënderoj Lukas Mandelin dhe Ulrike Lunaçekun, që na mirëpritën në Asociacionin e Miqësisë Austri – Kosovë, dhe ambasadorin Emil Brix në Akademinë Diplomatike. Ne ndjehemi të përkrahur, ndërsa po bëjmë hapa vendimtare”, ka shkruar Osmani në llogarinë e saj në Twitter.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë vizitës së saj zyrtare në shtetin austriak ka takuar edhe mërgimtarët kosovarë, të cilët jetojnë dhe veprojnë në Austri.

Gjatë së mërkurës, Presidentja Osmani është pritur në takim edhe nga Kancelari austriak, Sebastian Kurz.

Ndër temat e bisedës mes tyre ka qenë edhe çështja e liberalizimit të vizave dhe integrimet euro-atlantike të Kosovës.

Për tri vjet rresht, liberalizimi i vizave për Kosovën ishte kushtëzuar nga BE-ja nga ratifikimi i Marrëveshjes së demarkacionit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi.

Por, edhe pse Kuvendi i Kosovës, ndonëse me tri vjet vonesë arriti ta ratifikonte demarkacionin, BE-ja më pas nuk arriti konsensusin e brendshëm për t’ua hequr vizat qytetarëve të Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore