Lajme

Osmani në takim me Kurz, kërkon nga BE-ja të mbajë premtimin e liberalizimit të vizave për kosovarët


Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në takim me Kancelarin Austriak, Sebastian Kurz

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në takimin e saj me Kancelarin austriak, Sebastian Kurz, ka theksuar se është në interesin e Kosovës që mbështetja nga ana e Austrisë të vazhdojë me procesin e liberalizimit të vizave si dhe fuqizimit të subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës.

Në këtë takim Osmani, ka theksuar se populli i Kosovës “janë më proevropianët, ndaj ka kërkuar që BE-ja t`i liberalizojë vizat, duke mbajtur premtimin”.

Presidentja Osmani ka potencuar edhe gatishmërinë e Kosovës për thellimin e marrëdhënieve dypalëshe.

“Në takim me kancelarin Kurz, Presidentja Osmani ka shprehur falënderim për mbështetjen e vazhdueshme austriake ndaj Kosovës. Osmani ka potencuar mundësitë për thellimin e bashkëpunimit mes dy shteteve në fushën e ekonomisë, teknologjisë informative, agjendës së gjelbërt dhe fushave të tjera”, thuhet në një komunikatë për media nga zyra për komunikim publik e Presidentit.

Ndërkaq sa i përket dialogut me Serbinë, ajo ka ritheksuar qëndrimin për dialog të barabartë ndërmjet palëve, i cili përfundon me njohje reciproke.

Ndërkaq, ajo po ashtu, ka thënë se parakushte për paqen e qëndrueshme në rajon janë drejtësia për viktimat e luftës së fundit në Kosovë, zbardhja e fatit të të zhdukurve me dhunë gjatë luftës dhe respektimi i sovranitetit dhe integritetit kushtetues e territorial të Republikës së Kosovës.

Në anën tjetër, Kurz gjatë takimit të tij me Osmanin, e ka konfirmuar përkrahjen e Austrisë ndaj Kosovës për rrugën drejt Bashkimit Evropian.

Kurz, përmes një postimi në llogarinë e tij në Tëitter, ka thënë se dialogu dhe komunikimi i drejtpërdrejtë duhet të jetë themel i stabilitetit në rajon.

“Takim i mirë me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani. Austria do të vazhdojë të përkrahë Kosovën dhe të bëj thirrje për integrim në Evropë dhe të gjithë Ballkanin Perëndimor. Dialogu me komunikim të drejtpërdrejtë duhet të jetë themel i stabilitetit në rajon”, shkruan Kurz.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore