Kosova

Presidentja Osmani takon shqiptarët në Austri


Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani gjatë vizitës së saj zyrtare në shtetin austriak ka takuar edhe mërgimtarët kosovarë të cilët jetojnë dhe veprojnë në Austri.

Ajo në një takim me diasporën kosovare i ka falënderuar ata për angazhimin e tyre që në çdo hapë janë pranë shtetit të Kosovës.

“Ju faleminderit që jeni çdo herë pranë nesh. Ne do të punojmë shumë që besimin që e keni tek ne ta shndërrojmë në vizion, punë, e angazhim për një të ardhme më të mire”, ka shkruar presidentja Osmani në llogarinë e saj në rrjetin social Facebook.

Ajo po ashtu ka shkruar se vizita në Austri bëhet fuqiplotë sa herë takon diasporën shqiptare.

“Vizita në Austri merr vlerë të shtuar pas takimit me mërgimtarët”.

Presidentja Osmani në takim me diasporen kosovare në Austri

Gjatë së mërkurës Presidentja Osmani është pritur në takim nga Kancelari austriak, Sebastian Kurz.

Ndër temat e bisedës mes tyre ka qenë edhe çështja e liberalizimit të vizave dhe integrimet euroatlantike të Kosovës.

Ajo ka marrë garanci se shteti austriak do ta përkrah popullin e Kosovës në këto rrugëtime.

Kurz, përmes një postimi në llogarinë e tij në Twitter, ka thënë se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë duhet të jetë themel i stabilitetit në rajon.

“Takim i mirë me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani. Austria do të vazhdojë të përkrahë Kosovën dhe të bëj thirrje për integrim në Evropë dhe të gjithë Ballkanin Perëndimor. Dialogu me komunikim të drejtpërdrejtë duhet të jetë themel i stabilitetit në rajon”, shkruan Kurz.

Osmani dhe Kurz janë akorduar se raportet bilaterale mes të dyja vendeve duhet thelluar edhe më tej.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore