Lajme

Konjufca takohet me Torres: Kosova nuk mund të ketë mik më të mirë në botë se SHBA-në


Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca dhe kongresisti amerikan Ritchie Torres.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca është takuar me kongresistin amerikan Ritchie Torres me të cilin ka diskutuar për bashkëpunimin mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’, Konjufca ka thënë se gjatë këtij takimi u theksua se Kosova nuk ka mik më të mirë sesa SHBA-ja.

“Gjatë takimit të ngrohtë diskutuam për bashkëpunimin e ngushtë Kosovë – SHBA, zhvillimet politike në shtetin tonë dhe mbështetjen amerikane për proceset euroatlantike të Republikës së Kosovës”.

“Siç ka thënë dhe z.Torres, SHBA-ja nuk ka mik më të mirë se Kosovën dhe Kosova nuk mund të ketë mik më të mirë në botë se SHBA-në”, ka shkruar ai.

Teksa ka shtuar se është i lumtur për përkrahjen që i ka ofruar Torres, Kosovës.

“Jam thellësisht mirënjohës për përkrahjen e vazhdueshme të Kongresistit Torres ndaj Republikës së Kosovës dhe përkushtimin e tij në forcimin e miqësisë dhe thellimin e marrëdhënieve dypalëshe me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.

Ilir Kërçeli, shefi i kabinetit të kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka njoftuar të martën se kanë nisur vizitën në Shtetet e Bashkuara të Amerikës me ftesë të Kongresit Amerikan.

Sipas tij, krahas pjesëmarrjes në aktivitetet e Samitit, është paraparë që Kryetari i Kuvendit të zhvillojë takime me përfaqësues të lartë të Kongresit Amerikan dhe të Departamentit të Shtetit, si dhe me përfaqësues politikë të shteteve të tjera, duke përfshirë edhe ato që nuk e kanë njohur ende shtetin e Kosovës.

Më 9-10 dhjetor 2021, Presidenti i ShBA-së, Joe Biden mbajti të parin nga dy Samitet për Demokraci, i cili mblodhi së bashku liderë nga qeveria, shoqëria civile dhe sektori privat në përpjekjet tona të përbashkëta për të përcaktuar një agjendë afirmative për rinovimin demokratik dhe për të trajtuar kërcënimet më të mëdha me të cilat përballen demokracitë sot përmes veprimit kolektiv.

Samiti i dhjetorit 2021 nisi një vit veprimi nga pjesëmarrësit për t’i bërë demokracitë më të përgjegjshme dhe më elastike dhe për të ndërtuar një komunitet më të gjerë partnerësh të përkushtuar ndaj rinovimit demokratik global.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore