Përballje

Konfirmohen skuadrat pjesëmarrëse në edicionin e ri të Ligës Unike


Janë konfirmuar skuadrat e basketbollit nga Shqipëria dhe Kosova, të cilat do të marrin pjesë në edicionin e ri të Ligës Unike.

Për edicionin e 2021/22, në konkurrencën e meshkujve, kanë konfirmuar pjesëmarrjen: Golden Eagle Ylli, Prizreni 16, Rahoveci dhe Peja nga Kosova, kurse nga Shqipëria do të marrin pjesë: Vllaznia, Kamza, Tirana Neptun dhe Teuta.

Edicioni i ri i kësaj gare do të fillojë në fund të muajit tetor, ndërsa para saj pritet të mbahet Superkupa Mbarëkombëtare në të dyja konkurrencat.

Edicioni i kaluar ishte zhvilluar në formën e “Final 8” për shkak të pandemisë Covid-19, por ky edicion do të jetë ndryshe nga ai i pari.

Në edicionin e ri në konkurrencën e meshkujve, Liga Unike do të zhvillohet me sistem të dyfishtë vajtje-ardhje.

Pastaj, pas përfundimit të 14 xhirove të rregullta, vendi i parë dhe i dytë do të kualifikohen direkt për në “Final 4”, ndërsa pozitat nga tre deri në gjashtë do të ndeshen përsëri mes vete, me sistemin vajtje ardhje.

Pra, në play-off do të takohen vendi i tretë me atë të gjashtin, ndërsa vendi i katërt me vendin e pestë.

Skuadra e cila ka pikë më shumë të shënuara nga të dy ndeshjet, atëherë do të jetë në gjysmëfinale, ndërsa ekipet më të mira të renditura luajnë si vendas në ndeshjen e kthimit.

Kujtojmë që në edicionin e kaluar të Ligës Unike, që njëkohësisht ishte edhe edicioni i parë i basketbollit mes ekipeve shqiptare dhe ato kosovare, kampion ishte shpallur Golden Eagle Ylli.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore