Kosova

KOMF kërkon nga Qeveria e Kosovës shtesa për fëmijët deri në 18 vjet


Koalicioni i Organizatave Joqeveritare për Mbrojtën e Fëmijëve-KOMF ka propozuar që skemat për shtesat e fëmijëve të rishikohen duke përfshirë edhe fëmijët deri në moshën 18 vjeçare.

Sipas tyre, përfshirja e fëmijëve deri në moshën 18 vjeçare duhet të bëhet sepse nuk ka ndonjë mbështetje tjetër për këtë gruposh.

“Përfshirja e fëmijëve deri në moshën 18 vjeçare është e nevojshme sidomos duke pas parasysh faktin që aktualisht nuk ka ndonjë skemë të aplikueshme për mbështetjen e fëmijëve të moshës 16 – 18 vjeçare apo fuqizimin e të rinjve”, thuhet në njoftimin për media.

KOMF ka ofruar këtë rekomandim Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve.

Organizata ka kritikuar platformën online e-Kosova ku sipas tyre “në mungesë të informatave, shkathtësive apo edhe pajisjeve elektronike, shumë prindër mund të privohen nga kjo e drejtë për të aplikuar për shtesa për fëmijë”.

Por KOMF ka rekomanduar që krahas aplikimit në formë elektronike, të mundësohet aplikimi edhe në formë fizike nga prindërit/kujdestarët ligjor.

Koalicioni i Organizatave Joqeveritare për Mbrojtën e Fëmijëve ka bërë të ditur se shuma aktuale e shtesave për fëmijë është e pamjaftueshme për të përmbushur nevojat e fëmijëve.

Por e kanë vlerësuar nismën e ndërmarrë për realizimin e shtesave për fëmijë, e cila do të hap një rrugë krijimit të një skeme të qëndrueshme në vitet në vijim.

“KOMF rekomandon që në kuadër të planifikimit buxhetor vitin e ardhshëm, shtesat për fëmijë të prioritizohen për të konsideruar rritjen e shumave mujore, për të mbështetur nevojat e fëmijëve”.

KOMF ka një kërkesë që të iu mundësohet edhe aplikimi për shtesat e fëmijëve edhe nga babi ose nga kujdestari se deri tani vetëm nëna mund të bëjë kërkesë për aplikimin e shtesave.

“KOMF ka kërkon që platforma online të rishikohet për të mundësuar aplikimin edhe nga babai si dhe kujdestari ligjor. Mundësimi i aplikimit për shtesa të fëmijëve nga kujdestari ligjor është sidomos i domosdoshëm për fëmijët pa kujdes prindëror për të cilët në mungesë të prindërve, kujdestari ligjor ushtron të drejtat dhe përgjegjësitë e plota për fëmijën”, thuhet në njoftim.

Ndërsa kanë kërkuar që gjatë këtij procesi paraprakisht duhet të analizohet me kujdes dhe të vendoset modeli më i përshtatshëm i shtesave për fëmijë për kontekstin e Kosovës.

“Praktikat dhe modelet nga shtetet e rajonit dhe Evropës janë të ndryshme lidhur me shtesat për fëmijë. Dy modelet kryesore të shtesave për fëmijë janë si vijon: Shtesat universale për fëmijë, që nënkupton transfere të pakushtëzuara për të gjitha familjet me fëmijë pa marrë parasysh nivelin e të ardhurave të tyre, statusin ekonomik apo statusin e punësimit”.

Ndërsa, ministri i Financave, Punës dhe Transfreve, Hekuran Murati, gjatë ditës premte kishte treguar se aplikimi për shtesat e fëmijëve do të fillojë që nga data 1 shtator i këtij viti.

“Kemi thënë që shtesat për fëmijët 0-24 muaj do të jenë në vlerë 20 euro në muaj, derisa mbi 24 muaj deri në moshën 16 vjeçare do të jenë në vlerë prej 10 euro në muaj”, kishte thënë Murati.

“Të gjithë fëmijët që kanë lindur në vitin 2020 dhe 2021 do të fillojnë përfitimin që tani”.

“Kurse nga data 1 janar i vitit 2022 e tutje, shtohet grup mosha për të gjithë fëmijët që kanë lindur në vitin 2018 e tutje dhe kështu me radhë do të shtohet deri në korrik të vitit 2023 ku do të përfshihen të gjitha grup moshat nën moshën 16 vjeçare”.

Ai kishte thënë se kjo qeveri ka për synim që të forcojë pozitën e gruas në shoqëri dhe familje.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore