Lajme

Albin Kurti: “Realizuam zotimin për lehonat dhe shtesat për fëmijët”


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se nga kjo e premte do të fillojnë së realizuari një nga zotimet e tij, gjatë fushatës zgjedhore.

“Po fillojmë mbështetjen për lehonat dhe shtesat për fëmijë”, ka deklaruar kryeministri Kurti në një konferencë për medie, duke shtuar se përveç se premtim zgjedhor, kjo mbështetje për gratë dhe fëmijët është vlerë dhe botëkuptim i qeverisjes së tij.

“Ne jemi zotuar para qytetarëve se do ta rrisim mirëqenien e tyre dhe do ta ulim varfërinë. Këto janë dy prej kriteret më të rëndësishme me të cilat do të vlerësohemi”.

“Përmes zbatimit të masës 3.5 lidhur me pagesat për lehonat dhe shtesat për fëmijët, nga Pakoja e Ringjalljes Ekonomike, po dëshmojmë se në Kosovë tani qytetarët dhe nevojat e tyre janë pikënisje e politikave të qeverisjes”, ka deklaruar kryeministri.

Tutje ai u shpreh se kjo mbështetje për gratë po bëhet për fuqizimin e tyre në shoqërinë kosovare.

“Në duam t’i mbështesim gratë sepse synojmë shoqëri të barabartë, nuk mund të ketë barazi shoqërorë ku gjysma e shoqërisë nuk trajtohet ashtu”.

“Me këto formë të mbështetjes po e fuqizojmë rolin e gruas në shoqëri, po kujdesim për mirëqenien dhe pavarësinë e saj financiare në një kohë kur ajo kujdeset për fëmijën e sapo lindur”, ka vazhduar Kryeministri.

Ndërsa Ministri i Financave, Hekuran Murati ka treguar në detaje se si do të bëhen pagesat për lehonat dhe shtesat për fëmijët.

“Pagesat që do të realizohen në kuadër të Pakos së Ringjalljes Ekonomike bëhen në llogarinë bankare të gruas dhe me automatizën përfituesi direkt janë gratë të cilat më pas do të diktojnë mënyrën e shpenzimit të këtyre mjeteve”.

“Masa 3.5 në vetvete përfshin pagesat për lehonat dhe shtesat e fëmijëve”, ka treguar më tej Murati, duke shpjeguar se “pagesat për lehonat do të ofrohen për të gjitha gratë mbi moshën 18 vjeçare që janë shtetase të Kosovës dhe kanë lindur nga data 1 gusht e këtij viti e tutje”.

Pagesa do të bëhet në dy forma, për lehonat e punësuara dhe ato të pa punësuara.

Për grupin e parë, “për lehonat e papunësuara (ato që në ATK në 12 muajt e fundit figurojnë se janë të papuna, para datës së lindjes) për të cilat mbështetja do të jetë në vlerën e pagës minimale për gjashtë muaj”.

Për grupin e dytë, “pagesa për të gjitha lehonat e tjera (që figurojnë se në 12 muajt e fundit kanë qenë të punësuara) për të cilat mbështetja do të jetë në vlerë të pagës minimale për tre muaj, që është shtesë në kuadër të pagesës që tashmë e marrin si të punësuara, që është 70 % e pagës për gjashtë muajt e parë nga punëdhënësi dhe tre muajt e tjerë nga qeveria”.

“Lehonat e punësuara mund të aplikojnë për masën edhe nëse përfitojnë aktualisht nga pagesa që u takon sipas ligjit”, ka specifikuar më tej ministri Murati.

Ndërsa aplikimi për shtesat e fëmijëve mund të nisë nga data 1 shtator i këtij viti.

“Kemi thënë që shtesat për fëmijët 0-24 muaj do të jenë në vlerë 20 euro në muaj, derisa mbi 24 muaj deri në moshën 16 vjeçare do të jenë në vlerë prej 10 euro në muaj”, ka përsëritur ministri.

“Të gjithë fëmijët që kanë lindur në vitin 2020 dhe 2021 do të fillojnë përfitimin që tani”.

“Kurse nga data 1 janar i vitit 2022 e tutje, shtohet grup mosha për të gjithë fëmijët që kanë lindur në vitin 2018 e tutje dhe kështu me radhë do të shtohet deri në korrik të vitit 2023 ku do të përfshihen të gjitha grup moshat nën moshën 16 vjeçare”.

Vendimi i Ministrit të Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati

Ai tha se kjo qeveri ka për synim që të forcojë pozitën e gruas në shoqëri dhe familje.

“Fuqizimi i pozitës së gruas në shoqëri është njëra ndër ndryshimet rrënjësore që kjo qeveri po shtyn përpara”.

“Mbështetja e punësimit të grave përmes masës 1.3 subvencionimi i kredive për bizneset në pronësi të grave përmes masës 2.1 të pakos për Ringjallje Ekonomike bëhet në llogarinë bankare të gruas dhe me automatizëm përfituesi direkt janë gratë të cilat do të diktojnë edhe mënyrën e shpenzimeve të këtyre mjeteve”, ka theksuar më tej Murati.

Këto masa, sipas Ministrit Murati synojnë forcimin e pozitës financiare të gruas dhe fuqizimin e sajë në rolin vendimmarrës në familje dhe shoqëri.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore