Kosova

KMDLNJ: Specialja po e përdorë metodën e UDB-së, bastis dhe arreston ata që e përkrahin luftën e UÇK-së


Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut (KMLDNJ).

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut (KMLDNJ), ka reaguar pas bastisjes si dhe ndalimit së ish-deputetit dhe ish-eprorit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Haxhi Shala nga Gjykata Speciale, në Hagë.

Nga KMDLNJ është thënë se arsyetimi i Speciales për arrestime dhe bastisje është “pengimi i administrimit të drejtësisë”.

“Gjykata Speciale Raciste po e përdorë të njëjtën metodë që e ka zbatuar UDB-ja përmes ligjit për pengim të administrimit të drejtësisë mund të bastisë dhe arrestojë të gjithë ata që nuk duan të bëhen dëshmitarë, që përkrahin luftën e UÇK-së apo që nuk pajtohen me këtë Gjykatë. Mjafton që ndonjë dëshmitar i mbrojtur ta përmend emrin dhe paramilitarët e Speciales do t’i keni në shtëpi”.

“Gjykata Speciale po përdorë dëshmitarë me dëshmi të sajuara, informatorë të BIA–së serbe dhe dëshmitarë të rekrutuar nga sigurimi serb, dëshmitarë të prokurorisë serbe dhe dëshmitarë nga Kosova të joshur me shumë përfitime, para, ndryshim të identiteti dhe strehim në një vend tjetër”, është thënë nga KMDLNJ.

Nga KMDLNJ është thënë se gjatë bastisjeve nga Specialja janë treguar të kujdesshëm.

“Sipas informatave të KMDLNj-së, paramilitarët e Gjykatës Speciale që nuk kanë shenja identifikuese po tregohen të kujdesshëm gjatë bastisjeve për të krijuar një përshtypje se po i respektojnë standardet ligjore dhe të drejtave të njeriut gjatë këtyre inkursioneve kundër ushtarëve të UÇK-së dhe përkrahësve të tyre. Gjatë bastisjeve i pranishëm është edhe avokati të cilin e propozon i dyshuari”.

Ish-deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Haxhi Shala.

Teksa, kanë denoncuar ashpër kërcënimet nga kryetarja e Gjykatës Speciale, e cila gjatë vizitës së saj në Kosovë deklaroi se krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, mund të dënohen me burgim të përjetshëm.

“KMDLNj –ë denoncon publikisht këto kërcënime nga kryetarja Trandafilova si shkelje e rëndë e të drejtave të njeriut të personave të privuar nga liria e që po mbahen në Hagë për faktin se në mënyrë flagrante po e shkelë parimin e prezumimit të pafajësisë pasi i shpallë fajtorë të akuzuarit, ende pa përfunduar procesi gjyqësor”.

“KMDLNj–ë denoncon botërisht sajimin e përgjimeve ndaj pengjeve që po mbahen në Hagë, të gjithë shtetas të Kosovës dhe të gjithë shqiptarë pas së cilave, me propozim të PS ndaj tyre janë marrë masa represive si ndalimi i vizitave të paprivilegjuara dhe bisedave telefonike”.

Ndërsa, ka kërkuar edhe nga deputetët e Kuvendit të Kosovës, që të kërkojnë raport nga Specialja.

“KMDLNj–ë denoncon publikisht deputetët e Kuvendit të Kosovës që nuk kërkojnë raport nga kjo Gjykatë për respektimin dhe shkeljen e identifikuara të drejtave të njeriut të personave të privuar nga liria çpasi po ky Kuvend ka votuar themelimin e kësaj gjykate”.

Ish-deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Haxhi Shala, është dërguar në Gjykatën Speciale në Hagë, të martën e 12 dhjetorit. 

Ndërsa, të hënën, ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ish-politikani, Haxhi Shala, i njohur me nofkën “Topi”, është intervistuar nga Zyra e Prokurorit Special të Gjykatës Speciale në Hagë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore