Lajme

Specialja vazhdon bastisjet, intervistohet ish-komandanti i UÇK-së Haxhi Shala


Ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ish-politikani, Haxhi Shala, i njohur me nofkën “Topi”, është intervistuar nga Zyra e Prokurorit Special të Gjykatës Speciale në Hagë.

Veç intervistimit të Shalës, janë kryer edhe bastisje në qytetin e Malishevës.

Nga zyra për media e Speciales kanë konfirmuar për Albanian Post operacionet, por pa shumë informacion.

“Zyra e Prokurorit të Specializuar është duke zhvilluar operacione të vazhdueshme në Kosovë dhe nuk ka komente të mëtejshme”, tha në një përgjigje për AP-në, Chris Bennett, zëdhënës i Dhomave të Specializuara të Kosovës.

Ndërsa për Shalën nuk është dhënë asnjë informacion.

Për shkak të mungesës së informacioneve nuk është e qartë nëse intervistimi i serishëm i tij ka të bëjë me ndonjë akuzë që rëndon mbi të si ish-komandant i UÇK-së, apo ka të bëjë me ndonjë akuzë për “ndërhyrje në drejtësi”, për çka janë bastisur këto kohët e fundit disa persona në Kosovë.

Shala një herë kishte dhënë intervistë para prokurorisë në Hagë, në vitin 2020.

Ai e kishte bërë vetë të ditur se është ftuar për intervistim nga Specialja.

“E rastësishme apo jo, në 22 vjetorin e ditës së dëshmorëve të Brigadës 121, kur po përkujtojmë përvjetorin e rënies së bashkëluftëtarit tim Ismet Jashari- Kumanova dhe dëshmorëve tjerë të rënë në luftën e pastër e të drejtë të UÇK-së — Unë komandanti i kësaj brigade, sot kam pranuar ftesën nga Gjykata Speciale në Hagë, si i dyshuar, ku do të duhet të jem i pranishem atje me 8 Shtator të këtij viti”, kishte shkruar Shala.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore