Lajme

KMDLNJ për plagosjen në Shtërpcë: Prisni të përfundojnë hetimet, mos paragjykoni rastin


KMDLNJ.

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ), ka reaguar ndaj plagosjes së dy personave (11-vjeçar dhe 21-vjeçar), në fshatin Gotovush të Shtërpcës, nga të shtënat me armë zjarri nga një automjet në lëvizje.

Përmes një komunikate për media nga ky Këshill është kërkuar që ky rast të mos paragjykohet.

“Menjëherë pas këtij akti të rëndë erdhën reagimet e ndërkombëtarëve dhe politikanëve të Kosovës që bënin gara se kush do të reagonte më ashpër dhe se kush do ta cilësonte këtë vepër më kriminale, duke paragjykuar edhe motivin e plagosjes së dy të rinjve serbë, ende pa filluar hetimet e lëre më që ato të kishin përfunduar”.

“Në të njëjtën kohë pasuan edhe reagimet nga politikanët e Serbisë, duke filluar nga Aleksandar Vuçiq e deri te vajtuesi kujdestar për fatin e serbëve në Kosovë, Petar Petkoviq ndërkaq që popi Teodosije i vizitoi të plagosurit në Graçanicë duke ia dhënë një rend të reagimeve, në valle me politikanët”.

Sipas tyre, një mosbesim kaq i madh është shkaktuar për shkak të politikave mes shqiptarëve dhe serbëve.

“Është e qartë se ekziston një mosbesim i madhe, kryesisht i shkaktuar nga politikanët dhe politika midis shqiptarëve dhe serbëve dhe pikërisht këto raste tragjike iu shërbejnë si oksigjen politikanëve dhe politikës për t’i mirëmbajtur këto ndasi, ndërsa ndërkombëtarëve për të bërë dhe shtuar presionin”.

“E mira e së mirës do të ishte që të plagosurit të dërgoheshin në Spitalin në Ferizaj e jo që edhe trajtimi i tyre të politizohet”.

Dy persona kanë mbetur të plagosur në fshatin Drajkovc të Shtërpcës mesditën e së premtes.

Se në plagosjen e dy të rinjve (11 dhe 21 vjeçar) në Komunën e Shtërpcës është i përfshirë një ushtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës, e kishtë bërë të ditur vetë ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’.

Ndaj ushtarit të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), i cili ishte i përfshirë në plagosjen e dy të rinjve (11 dhe 21 vjeçar) pritet që të caktohet masa e paraburgimit të shtunën.

Lajmin e ka bërë të ditur për Albanian Post, kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Ferizaj, Shukri Jashari.

“Ju njoftoj se sot pasdite do të paraqesim në Gjykatën Themelore në Ferizaj, kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit”, ka thënë Jashari për AP.

Siç zakonisht ndodhë, në Serbi rastit i kanë dhënë ngjyrime politike. Drejtori i të ashtuquajturës Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë Petar Petkoviç, ka deklaruar se “serbët janë qëlluar nga një shqiptar”, derisa pohoi se qëllimi ishte “të na japin Krishtlindje të përgjakshme”.

Në anën tjetër, kryeministrja serbe, Ana Brnabiç, kërkoi nga komuniteti ndërkombëtar që fajtorët të sjellën para drejtësisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore