Lajme

KMDLNJ: MSH-ja s’mori asnjë veprim për sigurimin e barnave me kancer


Klinika e Onkologjisë në QKUK.

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut (KMDLNJ), ka reaguar për trajtimin që po ju bëhet personave të diagnostikuar me kancer, duke thënë se trajtimi i tyre për vetëm disa ditë prekë kosto tejet të lartë.

“Trajtimi për 14 – 18 ditë kushton 1400 deri në 1800 euro ndërsa drejtoritë shëndetësore komunale mund të ndajnë, në rastin më të mirë 700 euro brenda një viti kalendarik për shkak të mungesës së mjeteve”.

Nga KMDLNJ, është thënë se barnat nuk po sigurohen nga institucionet e shtetit.

“Klinika Onkologjike, sipas këtyre pacientëve, përkundër përpjekjeve që i bënë, nuk ka mundësi të sigurojë këto barna shumë të kushtueshme ndërsa Ministria e Shëndetësisë, përveç premtimeve të vazhdueshme ende nuk ka marrë asnjë veprim të tejkalojë këtë situate”, thuhet në komunikatë.

Ky këshill ka shprehur shqetësim se pacientët edhe po hynë në borxhe dhe po detyrohen të shesin prona në pamundësi për të krijuar mjete vetanake.

“Kujdesi shëndetësor për qytetarët e Kosovës është përgjegjësi e shtetit i cili ka dështuar në këtë aspekt ndonëse ka mjete të mjaftueshme financiare”.

“Pacientët me kancer në Kosovë jo që nuk po trajtohen në përputhje me të drejtat e njeriut që iu takojnë por as edhe çastet e fundit të jetës nuk po i kalojnë në mënyrë të dinjitetshme”.

Kosova vazhdon të jetë një nga vendet me problemet më të mëdha shëndetësore.

Në seancën e 29 shkurt në Kuvendin e Kosovës, Lëvizja Vetëvendosje u kritikua për keqmenaxhimin e shëndetësisë, arsyetimi i ministrit Vitia për gjendjen e dobët ishte se as “Fondi i Gjermanisë s’do ta përballonte mbingarkesën e QKUK-së”.

Spitalet në Kosovë ndryshe vazhdojnë të ballafaqohen me mungesë mjekësh dhe infermierësh.

Kjo pastaj dërgon në raste ku pacientët duhet të presin me vite për të marrë një shërbim, në disa raste familjarët duhet të bëjnë punën e infermierëve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore