Aplikacione

Kina zotohet për mbrojtjen e informacionit në përdorimin e juanit digjital


Kina pritet ta respektojë plotësisht privatësinë dhe të mbrojë informacionin personal në përdorimin e juanit digjital.

Kështu ka bërë me dije një zyrtar i lartë i bankës qendrore për median shtetërore vendase, pasi Pekini inkurajoi miratimin e e-CNY.

Mu Changchun, drejtori i përgjithshëm i Institutit të Kërkimit të Monedhave Digjitale të bankës qendrore, ka thënë se anonimiteti i kufizuar është një tipar kryesor i juanit digjital.

Ai ka vënë në dukje se siguron transaksione të arsyeshme anonime.

“Nga ana tjetër, ai gjithashtu parandalon dhe lufton aktivitetet e paligjshme duke përfshirë pastrimin e parave, financimin e terrorizmit dhe evazionin fiskal, duke ruajtur nevojën për siguri financiare”, ka vijuar.

Në Kinë, Banka Popullore është e para në zhvillimin dhe emetimin e një monedhe digjitale të bankës qendrore (CBDC), e cila në rastin e e-CNY do të jetë një zëvendësim për kartëmonedha dhe monedha.

Kurse bankat e tjera qendrore po shikojnë zhvillimin e CBDC-ve për të modernizuar sistemet e tyre financiare, për të shmangur konkurrencën nga kriptovalutat dhe për të përshpejtuar pagesat vendase dhe ndërkombëtare.

Përpjekjet e Kinës janë ndër më të avancuarat në nivel global dhe vendi ka kryer prova të ndryshme dhe skema pilot të skenarëve të ndryshëm të pagesave vitet e fundit.

Po ashtu Mu ka thënë se e-CNY, mund të përdoret për të blerë çdo gjë që mund të blihet me kartëmonedha dhe monedha.

“Kartëmonedhat dhe monedhat mund të blejnë ar dhe të konvertojnë valutë të huaj, po ashtu edhe e-CNY”, ka sqaruar ai.

Në maj, disa qytete shpërndanë para digjitale falas për të ringjallur konsumin dhe për të ndihmuar bizneset e goditura nga frenimi i pandemisë, me më shumë aplikacione e-CNY që priten në të ardhmen për të rritur transparencën dhe efektivitetin e politikave qeveritare.

Marrë nga “Reuters”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore