Lajme

KGJK-ja vendos për ndërprerjen e seancave, shkak mungesa e sistemit të ajrosjes


Pallati i Drejtësisë.

Këshilli Gjyqësor i Kosovës, ka vendosur që të reduktojë punën për shkak të temperaturave të larta në objekt.

Përmes një komunikate për media nga KGJK-ja është thënë se nuk do të mbajnë seancat deri në përmirësimin e situatës.

Ndërsa ky vendim është marrë në takimin e jashtëzakonshëm të KGJK-së, për shkak të temperaturave të larta dhe mos funksionimit të sistemit të klimatizimit.

“Autorizohen kryetarët e Gjykatës Supreme, Gjykatës së Apelit, Gjykatës Komerciale dhe Gjykatës Themelore Prishtinë, që të vlerësojnë kushtet e punës (gjendjen me temperaturat e larta) në Pallatin e Drejtësisë dhe varësisht nga vlerësimi të vendosin për reduktimin e punës apo pezullimin deri në përmirësimin e gjendjes”, thuhet në vendimin e KGJK-së.

Të hënën KGJK-ja iu është drejtuar udhëheqësve të shtetit me një letër të hapur ku kishin adresuar pakënaqësitë e tyre me gjendjen e krijuar në Pallatin e Drejtësisë.

Në këtë letër thuhet se për shkak të gjendjes së krijuar, Këshilli Gjyqësor ka mbetur i vetëm në përpjekje për të gjetur zgjidhje të situatës duke kërkuar nga stafi i Pallatit të Drejtësisë të kujdesën për higjienën.

Në letrën e hapur të KGJK-së, potencohet se ata mbesin me shpresë që të ndërmerren masa të menjëhershme për përmirësimin e gjendjes në të cilën ndodhen sepse në të kundërtën do të dëmtohen një numër i konsiderueshëm i proceseve gjyqësore si dhe do të pamundësohen shërbimet ndaj qytetarëve.

Ndryshe, çdo vit në pallatin e Drejtësisë stafi i gjykatave përballen me një situatë të ngjashme ku kanë probleme me ajrin.

Ndërkaq, për rregullimin e një çështje të tillë nga KPK-ja ishte thënë se përgjegjëse është Ministria e Punëve të Brendshme (MPB).

Nga Këshilli, ishte sqaruar se nuk do të mbajnë përgjegjësi për kallëzimet penale dhe paditë civile eventuale që mund të paraqiten lidhur me pasojat shëndetësore të shkaktuara nga qëndrimi në këtë objekt.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore