Shqipëria

Këshillimi Kombëtar – Si do të jenë përgjigjur shqiptarët?


Gjatë kësaj dite, siç është paralajmëruar nga Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, pritet publikimi i rezultateve të Këshillimit Kombëtar – proces i cili vijoi prej muajit janar dhe u përmbyll më 31 mars me marrjen e përgjigjeve nga qytetarët shqiptarë.

Kuvendimi Popullor, siç shpesh e ka cilësuar Rama, u përmbyll me dhënien e mendimit nga mbi gjysmë milioni shqiptarë.

Me postë kanë dhënë mendimin e tyre 340 mijë e 143 qytetarë, online 127 mijë e 130 dhe në tenda 95 mijë e 922 qytetarë.

Nën moton “Le të dëgjojmë njëri-tjetrin”, Rama ftoi herë pas herë popullin për të dhënë mendimin e tyre dhe në përfundimin e saj ai ka siguruar pjesëmarrësit se zëri i tyre do të dëgjohet “me respektin më të madh”.

Kjo nismë ishte fjala kyçe për Qeverinë e Shqipërisë nën drejtimin e socialistëve për të tretin mandat radhazi në fillimin e vitit 2022, pasi u paralajmërua nga vetë Rama, në fund të 2021-shit.

Pyetësori mund të plotësohej nga çdo qytetar mbi 18 vjeç i vendit, duke dhënë mendime mbi çështje të caktuara.

Por metodologjia e përgjigjeve nuk ishte ajo e atyre të hapura, për të dhënë mendim, sa ajo e përzgjedhjes konvencionale, mes tri alternativash.

Përpos të tjerave, vetë pyetësori do të mbetej në kuadër të anonimatit dhe nuk kërkonte të dhëna personale. Por, nga i njëjti motor kërkimi, nuk mund të plotësohej më shumë se një herë.

Kjo ishte si një mënyrë për të shmangur mendimet e shumëfishta nga një person i vetëm.

12 ishin çështjet mbi të cilat qytetarët u pyeten për sa i përket Këshillimit Kombëtar dhe jashtë kuadrit të tyre nuk mund të dilej.

Parimisht, shumica e tyre luanin me dualitetin e çështjeve, duke propozuar një opsion dhe duke pyetur nëse personi është apo jo me të njëjtin mendim me pohimin.

Po ashtu, kishte edhe një kuti për ata që nuk dëshironin të gjykonin mbi një çështje të caktuar.

Çfarë përfshinte pyetësori?

Fillimisht në formular parashtrohej pyetja nëse nënat me tre ose më shumë fëmijë meritojnë mbrojtje të veçantë sociale nga shteti.

Së dyti, parashtrohej ashpërsimi ose jo i dënimit të autorëve përsëritës në kryerjen e krimeve të rënda kundër personit – dyfishim të dënimit.

Një nga pyetjet lidhej edhe me largimet e padrejta nga puna, ku shteti të mbrojë të punësuarit nëse vërtetohet që kanë pasur të drejtë.

Në rrafshin social, qytetarët u pyeten edhe për pensionistët që ende punojnë dhe nuk duhet të paguajnë kontribute.

“Amnisti e plotë për emigrantët që duan të depozitojnë në Shqipëri”, ishte një çështje tjetër.

Një nga pikat që do ketë dhe interes ishte dhe debati publik mbi kultivimin, përpunimin dhe eksportimin e kontrolluar nga shteti të kanabisit.

Referuar kohës, qeveria pyeti qytetarët edhe për aplikimin me detyrim të certifikatave të vaksinimit në të gjitha hapësirat publike të mbyllura.

Sa i takon ashpërsimit të masave, kishte pyetje kundër evazionit fiskal të shoqërive të biznesit të madh dhe subjekteve apo individëve që ndotin hapësirën publike.

“Gjyqtarët dhe prokurorët, që nuk kanë kaluar ende Vetting-un, duhet të pezullohen automatikisht”, ishte një tjetër pyetje që qytetarët do përgjigjeshin.

Në përmbyllje, u kërkua mendimi i qytetarëve për ndarjen e aplikimit të Shqipërisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian nga ajo e Maqedonisë së Veriut.

Apo nëse krijimi i nismës rajonale të kurorëzuar “Ballkani i Hapur” është në interes të Shqipërisë.

Qytetarët filluan ta marrin letrën e Këshillimit Kombëtar, sipas njoftimit të kryeministrit, i cili kishte si qëllim “për të marrë opinionin lidhur me një sërë temash”.

“Synimi është që këto përgjigje të jenë sa më shumë shprehje e një mendimi me njerëzit. Dëgjim pak më të thellë me njerëzit. Pa asnjë obligim, thjesht kontribut”, theksonte kreu i qeverisë që në krye të herës.

Ndërsa Rama ka shpjeguar se, “kuvendimi nuk është detyrues as imponues për askënd dhe mbi asgjë, është një këshillim që duam të themelojnë dhe duam ta kthejmë në një instrument të marrëdhënieve me qytetarët”.

E vetmja gjë që mbetet për t’u parë tashmë, është fakti se si do të jenë përgjigjur shqiptarët…

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore