Lajme

Gërvalla i quan “lotë të krokodilit” shqetësimet e opozitës për raportin e DASH-it


Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla.

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, në seancën e së enjtes ku po fliste për hapin e parë të suksesshëm të kaluar nga Kosova për anëtarësim në Këshill të Evropës, i quajti “lotë të krokodilit” shqetësimet e opozitës të shprehura në këtë seancë për raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit (DASH).

“Desha t’i themë edhe disa fjalë, dy fjali edhe rreth lotëve të krokodilit lidhur me Departamentin Amerikan të Shtetit, mirëpo do t’i lë për seancën ku do ta diskutojmë më gjerësisht këtë temë”, ka thënë Gërvalla.

Në seancën e së enjtes, opozita kërkoi që të diskutohet për të gjeturat e raportit të Departamentit Amerikan të Shtetit (DASH), i publikuar më 22 prill.

Shefi i grupit parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, ka kërkuar në seancën e së enjtes që të mbahet debat parlamentar për të gjeturat e raportit të Departamentit Amerikan të Shtetit (DASH).

Tahiri, në fjalimin e tij tha se të gjeturat duhet të diskutohen sepse janë mjaft shqetësuese për Qeverinë e udhëhequr nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

“I kërkoj Kuvendit që ta plotësojë rendin e ditës me mocion përmbajtjesor të cilin e kemi prezantuar si grup parlamentar përmes së cilës kërkojmë që të plotësohet rendi i ditës me një debat parlamentar për të gjeturat e raportit të Departamentit Amerikan të Shtetit, i cili ka të gjetura mjaft shqetësuese për Qeverinë e Republikës së Kosovës dhe për institucionet”, ka thënë Tahiri.

Ndërkaq nga shefja e grupit parlamentar nga Lëvizja Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, u kërkua që të vendoset një seancë e veçantë ku të gjithë janë të përgatitur dhe të diskutojnë edhe për raportin e Fredoom House.

“Natyrisht të gjithë të reflektojmë, pastaj se a kemi progres apo regres”.

“Ne e falënderojmë Partinë Demokratike të Kosovës, për propozimin. Të gjeturat e këtij raporti kanë qenë gjithmonë të rëndësishme, por gjithashtu me hapësirën për diskutim. Tahiri i përmendi vetëm çështjet e Qeverisë natyrisht nga pozita e opozitarit s’mund bënte ndryshe”.

“Raporti në fakt flet në detaje për lëshimet e sistemit të drejtësisë për vitet e mëhershme 2018-2019, në raport me dhunën ndaj grave”, ka thënë Kusari-Lila.

Opozita kërkon seancë për raportin e DASH-it, pushteti thotë se duhet të caktohet seancë tjetër

Çka thuhet në raport?

Në Kosovë ka korrupsion serioz qeveritar thuhet në raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit të të publikuar këtë të hënë me 22 prill.

Në përmbledhjen fillestare të raportit përmenden të gjeturat kryesore dhe aty thuhet se në Kosovë ka “probleme serioze me pavarësinë e gjyqësorit”, pastaj “kufizime serioze për lirinë e shprehjes dhe lirinë e medias, duke përfshirë dhunën ose kërcënimet me dhunë ndaj gazetarëve” dhe gjithashtu “korrupsion serioz qeveritar”.

Raporti flet edhe për “dhunë të gjerë me bazë gjinore, duke përfshirë dhunën në familje ose nga partneri intim; dhe krime që përfshijnë dhunë ose kërcënime për dhunë që synojnë pakicat etnike ose komunitetet e tjera të margjinalizuara”.

Sipas raportit Qeveria e Kosovës ka marrë hapa, por ata ishin “jokonsistent për të identifikuar, hetuar, ndjekur penalisht dhe ndëshkuar zyrtarët që mund të kenë kryer shkelje të të drejtave të njeriut”.

“Korrupsion serioz qeveritar, dhunë dhe kërcënime për gazetarë, kufizime serioze në lirinë e shprehjes”, raporti i DASH-it shumë i rëndë për Kosovën

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore