Kosova

Opozita kërkon seancë për raportin e DASH-it, pushteti thotë se duhet të caktohet seancë tjetër


Kuvendi i Kosovës.

Shefi i grupit parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, ka kërkuar në seancën e së enjtes që të mbahet debat parlamentar për të gjeturat e raportit të Departamentit Amerikan të Shtetit (DASH), i publikuar më 22 prill.

Tahiri, në fjalimin e tij tha se të gjeturat duhet të diskutohen sepse janë mjaft shqetësuese për Qeverinë e udhëhequr nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

“I kërkoj Kuvendit që ta plotësojë rendin e ditës me mocion përmbajtjesor të cilin e kemi prezantuar si grup parlamentar përmes së cilës kërkojmë që të plotësohet rendi i ditës me një debat parlamentar për të gjeturat e raportit të Departamentit Amerikan të Shtetit, i cili ka të gjetura mjaft shqetësuese për Qeverinë e Republikës së Kosovës dhe për institucionet”, ka thënë Tahiri.

Shefi i grupit parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri.

Ndërkaq nga shefja e grupit parlamentar nga Lëvizja Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, u kërkua që të vendoset një seancë e veçantë ku të gjithë janë të përgatitur dhe të diskutojnë edhe për raportin e Fredoom House.

“Natyrisht të gjithë të reflektojmë, pastaj se a kemi progres apo regres”.

“Ne e falënderojmë Partinë Demokratike të Kosovës, për propozimin. Të gjeturat e këtij raporti kanë qenë gjithmonë të rëndësishme, por gjithashtu me hapësirën për diskutim. Tahiri i përmendi vetëm çështjet e Qeverisë natyrisht nga pozita e opozitarit s’mund bënte ndryshe”.

“Raporti në fakt flet në detaje për lëshimet e sistemit të drejtësisë për vitet e mëhershme 2018-2019, në raport me dhunën ndaj grave”, ka thënë Kusari-Lila.

Shefja e grupit parlamentar nga Lëvizja Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila.

Ndërkaq shefi i grupit parlamentar nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Arben Gashi, tha për Kuvendin e Kosovës se më së paku është përfaqësues aktualisht.

“Shumë pak është institucion mbikëqyrës sepse qëllimisht kjo shumicë parlamentar ka pamundësuar funksionin mbikëqyrës të këtij Kuvendi, duke sabotuar çdo punë. Kur flasim për problemet e vendit tonë t’i referohemi vendeve të huaja, është fatkeqësi”, tha Gashi.

Një kërkesë të ngjashme si PDK-ja e pati edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, të cilën e prezantoi shefi i grupit parlamentar nga kjo parti, Besnik Tahiri.

“Në historinë e qeverisjes në Kosovë, asnjëherë vendi ynë s’ka marrë një klasifikim kaq të rëndë, kaq të keqe në raport me gjendjen e vendit tonë. Për ta kuptuar se sa është e rëndësishme që Kuvendi të flasë për këtë raport, vetëm hapeni faqen e parë – i cili flet për një korrupsion serioz në Qeveri”.

Çka thuhet në raport?

Në Kosovë ka korrupsion serioz qeveritar thuhet në raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit të të publikuar këtë të hënë me 22 prill.

Në përmbledhjen fillestare të raportit përmenden të gjeturat kryesore dhe aty thuhet se në Kosovë ka “probleme serioze me pavarësinë e gjyqësorit”, pastaj “kufizime serioze për lirinë e shprehjes dhe lirinë e medias, duke përfshirë dhunën ose kërcënimet me dhunë ndaj gazetarëve” dhe gjithashtu “korrupsion serioz qeveritar”.

Raporti flet edhe për “dhunë të gjerë me bazë gjinore, duke përfshirë dhunën në familje ose nga partneri intim; dhe krime që përfshijnë dhunë ose kërcënime për dhunë që synojnë pakicat etnike ose komunitetet e tjera të margjinalizuara”.

Sipas raportit Qeveria e Kosovës ka marrë hapa, por ata ishin “jokonsistent për të identifikuar, hetuar, ndjekur penalisht dhe ndëshkuar zyrtarët që mund të kenë kryer shkelje të të drejtave të njeriut”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore