Shqipëria

Bardhi thotë se Rama ka frikë nga interpelanca, radhit 4 fakte dhe shtron 4 pyetje publike për kryeministrin


Kreu i Grupit Parlamentar demokrat, Gazment Bardhi, ka reaguar lidhur me një replikë publike të kryeministrit Edi Rama, ku ky i fundit ka bërë me dije se një interpelancë lidhur me emisionin Report të transmetuar në Rai 3, do të ndodhë vetëm kur çështja me median italiane të jetë shteruar.

Të ‘mbarojmë punë me Rai-n’, pastaj radha për interpelancë me Bardhin, thotë Rama

Sipas Bardhit, kjo gjë reflekton vetëm një frikë të kreut të Qeverisë shqiptare.

Përmes një reagimi në median sociale Facebook, Bardhi ka shkruar se Rama po fshihet për këtë kërkesë të opozitës për t’u përballur me kryeministrin dhe ka radhitur edhe katër fakte nga dokumentari, duke shtruar katër pyetje publike për Ramën.

“Herën e parë u fsheh me alibinë që të mbarojë njëherë punë SPAK me kallëzimin që Olsi Rama kishte bërë ndaj meje dhe pastaj do të vinte për tu përgjigjur në Kuvend. Kur SPAK mbarojë punë me atë paçavure propagandistike, sot paska shpikur alibinë e radhës, siç e paralajmërova edhe dje, që do të mbarojë njëherë punë me “Rai 3”, pastaj do të vijë për t’u përgjigjur në Kuvend”, thekson fillimisht Bardhi në reagim.

Më tej, shton se Rama ankohet se nuk i është dhënë mundësia të përfshirëve në investigimin e “Rai 3” që të japin sqarimet e tyre, por ndërkohë i fshihet Kuvendit. Shqiptarët kanë një muaj që presin sqarimet, por Edi Rama fshihet, Olsi fshihet, kushdo i përfshirë fshihet.

Teksa, vijon më tej me faktet dhe pyetjet, të cilat i rendit në të tillë mënyrë:

Fakti 1. Olsi Rama, bashkë me krerët e organizatës së kokainës, kanë përdorur të njëjtën makinë me targa AA653DM për të kaluar 18 herë kufirin në kohën ngritjes së laboratorit të kokainës në Xibrakës.

Pyetje 1: Cfarë e lidh Olsi Ramën me krerët e narko-organizatës?

Fakti 2. Nga 18 hyrje-daljet e makinës me targa AA653DM të grupit kriminal, 7 prej tyre i përkasin Olsi Ramës.

Pyetje 2: Pse ka përdorur në të njëjtën kohë, të njëjtën makinë, Olsi Rama dhe trafikantët e dënuar të Xibrakës?

Fakti 3. Policia dhe prokuroria nuk ka identifikuar një përdorues të makinës me targa AA653DM, edhe pse i ka identifikuar moshën 45 vjeç. Olsi Rama është përdorues i kësaj makine dhe në atë periudhë ka qenë fiks 45 vjeç.

Pyetje 3: A keni kërkuar informacion nga Policia e Shtetit për pamundësinë për të identifikuar të gjithë personat e përfshirë?

Fakt 4. Policia dhe Prokuroria sipas gjykatës kanë kryer hetime të mangëta dhe kanë lënë në harresë dosjen 335/1-2016 që kishte si qëllim të identifikonte bashkëpunëtorët e tjerë të grupit kriminal.

Pyetje 4: Si Kryeministër i Shqipërisë, a mendon që ky procedim duhet të hetohet në mënyrë të plotë dhe personat e përfshirë në trafik ndërkombëtar droge të mbahen përgjegjës?

Më tej, Bardhi shkruan se secili prej këtyre fakteve dhe përgjigja rreth tyre, ka të bëjë vetëm me Edi dhe Olsi Ramën, aspak me imazhin e Shqipërisë dhe shqiptarëve.

“Imazhi i Olsit dhe Olsave të tu, nuk është imazhi i Shqipërisë dhe shqiptarëve. Imazhi i vërtetë i Shqipërisë dhe shqiptarëve, janë ata qytetarë të ndershëm të këtij vendi, që nuk përfshihen në trafik droge, që nuk pasurohen përmes korrupsionit madhor, që punojnë me ndershmëri, pavarësisht vështirësive që i krijon keqqeverisja jote 11 vjeçare”, argumenton kreu i grupit demokrat.

Ai drejt fundit thekson se kreu i Qeverisë duhet të respektojë Kushtetutën, pa vonesa dhe pa zvarritje.

Teksa, një thirrje i bën edhe Prokurorisë së Posaçme SPAK, të cilës i adresohet duke thënë se duhet të provojë që në Shqipëri nuk ka persona të paprekshëm, që hetohet dhe vihet përpara përgjegjësisë cilido, qoftë ky edhe vëllai i Kryeministrit.

“Prova janë aty, duhet vetëm të hiqet pluhuri që ka zënë atë dosje të lënë në harresë”, përfundon Bardhi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore