Shqipëria

Rama prezanton funksionimin e Këshillit Publik, në daljen e parë të 2022-shit


Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, nën moton “Le të dëgjojmë njëri-tjetrin” ka nisur të mërkurën pasdite komunikimin publik me qytetarët.

Në median sociale Facebook, ai u ka prezantuar qytetarëve edhe formularin e Këshillit të Parë Publik, të cilin mund ta plotësojë “çdo qytetar mbi 18 vjeç dhe në mënyrë anonime”.

Gjatë fjalës, kreu i qeverisë e ka vënë theksin te komunikimi, i cili duhet të jetë i ndërsjellë.

“Le të dëgjojmë opinionet e njerëzve”, tha ai, ndërsa bëri të ditur se ka nisur procesi i këtij Këshilli.

Si do të procedohet?

Qytetarët do të fillojnë të marrin letrën e Këshillimit Kombëtar, sipas njoftimi të kryeministrit, i cili ka si qëllim “për të marrë opinionin lidhur me një sërë temash”.

Bëhet fjalë për sektorin e ekonomisë, punës, drejtësisë dhe integrimit evropian.

“Synimi është që këto përgjigje të jenë sa më shumë shprehje e një mendimi me njerëzit. Dëgjim pak më të thellë me njerëzit. Pa asnjë obligim, thjesht kontribut”, ravijëzoi Rama.

Kryeministri është ndalur edhe te pandemia.

Ai e ka vënë theksin te shifra e rasteve të reja me COVID-19, që është “alarmuese”.

“Ka pasur 1 mijë e 236 raste të reja pozitive me COVID-19, për shkak të festave dhe mungesës së plotë të masave shtrënguese dhe variantit të ri Omicron”, tha ai.

Paga minimale

Kryeministri njoftoi se me fillimin e muajit janar, paga minimale për qytetarët e Shqipërisë është bërë 32 mijë lekë.

Ky vendim ka hyrë në fuqi, pas botimit në “Fletoren Zyrtare”.

Gjatë vitit 2021, paga minimale ishte 30 mijë lekë, i vendosur nga Këshilli i Ministrave, më 18 dhjetor 2020.

Paga bazë minimale mujore jepet për 174 orë pune në muaj.

Kryeministri foli edhe për tatimin mbi pagën.

“Që nga 1 korriku i 2022-shit, të gjithë të punësuarit me të ardhura nga 150- 200 mijë lekë do të tatohen në 13%, nga 23% që ishte më parë”.

Kriza energjetike

I pyetur nga publiku për krizën energjetike të Kosovës dhe Shqipërisë, ai tha se, “Shqipëria po ia del” të përballet me krizën energjetike.

Por, sipas tij, “pa e lënë atë të rrëshqasë te qytetarët apo bizneset”.

“Kjo përballje ka kosto”, tha Rama, duke vijuar me arsyetimin për krizën energjetike.

Rindërtimi

Rama u ndal dhe te rindërtimi, për të cilën, publiku e ka pyetur rreth mungesës së pajisjeve shtëpiake dhe mobilimi i tyre.

“Deri këtu ka qenë detyrimi i qeverisë shqiptare”, tha ai, “me taksat e shqiptarëve është bërë më shumë se sa normalisht”.

Sipas kreut të qeverisë, “janë ndërtuar mijëra shtëpi me buxhetin e shtetit dhe po jepen falas”.

“Nuk ka programe rindërtimi falas dhe është e tepërt të kërkohen pajisje”.

Më 9 dhjetor, Këshilli i Ministrave mori vendimin për të shtuar 7 miliardë lekë për “Programin e Rindërtimit”.

Ai bëri me dije se synohet rikthimi në shtëpi për një numër të konsiderueshëm familjesh në Thumanë, Durrës, Tiranë, Kavajë, Rrogozhinë, Kurbin dhe Manzë.

Dy vite më parë, tërmeti i 26 nëntorit shkaktoi dëme të pakthyeshme, ku humbën jetën rreth 50 qytetarë dhe dhjetëra të tjerë mbetën të plagosur.

Gjithashtu pati dhe dëme materiale, shumë ndërtesa u shembën dhe disa të tjera u kthyen në të pabanueshme.

Në total, për t’u riparuar ishin 242 pallate, ku më të dëmtuarat ishin në Shijak, duke u ndjekur nga Kurbini, Durrësi, Kamëz, Kavaja, Vora, Kruja, Lezha dhe Mirdita.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore