Lajme

Këshilli i Sigurimit refuzon kërkesën për hetimin e Nord Stream


Rusia nuk arriti të detyrojë Këshillin e Sigurimit të OKB-së të kërkojë një hetim të pavarur për shpërthimet në tubacionet e gazit Nord Stream që lidh Rusinë dhe Gjermaninë, duke derdhur sasi masive të gazit metan në Detin Baltik.

Vetëm Rusia, Kina dhe Brazili votuan në favor të tekstit të hartuar nga Rusia të hënën, ndërsa 12 anëtarët e tjerë të këshillit abstenuan. Një rezolutë ka nevojë për të paktën nëntë vota pro dhe asnjë veto nga Rusia, Kina, Franca, Shtetet e Bashkuara ose Mbretëria e Bashkuar për të kaluar.

Rusia propozoi projekt-rezolutën muajin e kaluar, vetëm disa ditë para përvjetorit të parë të pushtimit të Ukrainës.

Kremlini tha të martën se do të vazhdojë të kërkojë një hetim ndërkombëtar për shpërthimet. Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov tha se të gjithë duhet të jenë të interesuar për një hetim të paanshëm për të gjetur fajtorët.

Rusia është ankuar se nuk është mbajtur e informuar për hetimet kombëtare në vazhdim. Moska ka pohuar, pa dhënë prova, se shtetet perëndimore ishin pas shpërthimeve.

“Pa një hetim ndërkombëtar objektiv dhe transparent, e vërteta nuk do të zbulohet për atë që ndodhi”, i tha këshillit ambasadori rus në OKB, Vassily Nebenzia përpara votimit.

Shpërthimet e tubacioneve ndodhën në zonat ekskluzive ekonomike të Suedisë dhe Danimarkës. Muajin e kaluar Suedia, Danimarka dhe Gjermania thanë se hetimet e tyre të veçanta ishin ende në vazhdim dhe Rusia ishte informuar.

Në një letër të përbashkët drejtuar Këshillit të Sigurimit, ata thanë se dëmi ishte shkaktuar nga “shpërthimet e fuqishme për shkak të sabotimit”.

SHBA dhe NATO e kanë quajtur gjithashtu incidentin “një akt sabotimi”.

“Shtetet e Bashkuara nuk u përfshinë në asnjë mënyrë”, tha zëvendës ambasadori amerikan në OKB Robert Wood.

Ai akuzoi Rusinë se po përpiqet të “diskreditojë punën e hetimeve kombëtare në vazhdim dhe të paragjykojë çdo përfundim që ata arrijnë që nuk përputhen me narrativën e paracaktuar dhe politike të Rusisë”.

Rusia mund të kërkojë kompensim për shpërthimet e Nord Stream, thotë diplomati

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore