Lajme

Kërkohet nga Qeveria ndryshimi i kalendarit të festave zyrtare


Ilustrim.

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës kanë kërkuar nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti që me urgjencë të propozojnë ndryshim plotësimin e Ligjit për Festat Zyrtare në Kosovë.

Përmes një komunikatë për media është thënë se praktika që ditët të lidhen me rastin e një feste zyrtare është duke dëmtuar vendin “në aspektin financiar dhe ndërkombëtar”.

“Praktikat e deritanishme që ditët e festave që bien në ditë vikendi, të zëvendësohen me pushim gjatë ditëve të punës, përkatësisht Neni 4 i Ligjit për Festat Zyrtare, sipas të cilit “Kur ditët e festave zyrtare të cekura në nenin 2 të këtij ligji bien ditën e shtunë ose të diel, ditë pushimi do të jenë ditët pasardhëse të punës”, është praktikë e cila ka dëmtuar dhe po e dëmton vendin në aspektin financiar dhe ndërkombëtar”, thuhet në komunikatë.

Tutje nga DhTIK është kërkuar që festat zyrtare të mos zëvendësohen me ditë punë në rastet kur ato bien gjatë ditëve të vikendit, por ditë pushimi të jetë vetëm dita e cila është ditë pushimi.

Teksa është kërkuar që të festohen, por të mos jenë ditë pushimi, ditët: 9 Prilli, Dita e Kushtetutës dhe 9 Maj Dita e Evropës.

“DHTIK kërkon po ashtu që festat e komuniteteve të jenë ditë pushimi për këto kategori, por jo edhe për gjithë vendin”.

“DHTIK, mbet me shpresë se këto rekomandime do të merren parasysh në mënyrë që të kontribuohet në rritjen e ditëve të punës dhe rritjen e ardhjes së investimeve nga Evropa aq shumë të nevojshme për vendin tonë me papunësinë më të madhe në Evropë dhe me të ardhurat më të vogla për kokë banori në Evropë”.

Ndryshe, në Kosovë ka pasur vazhdimisht kritika për festat zyrtare.

Festat zyrtare në Kosovë, të përcaktuara me ligj, janë: Viti i Ri, Dita e Pavarësisë së Republikës së Kosovës, Dita e Kushtetutës së Republikës së Kosovës, Dita Ndërkombëtare e Punës, Dita e Evropës, Bajrami i Madh, Bajrami i Vogël, Krishtlindjet Katolike, Krishtlindjet Ortodokse, Pashkët Katolike dhe Pashkët Ortodokse.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore