Bota

Kërkohet burg për Navalny-n


Alexei Navalny paraqitet përpara Gjykatës së Moskës

Alexei Navalny është paraqitur përpara trupit gjykues në Moskë, për të zhvilluar seancën dëgjimore mbi akuzat që rëndojnë mbi të.

Prokurorët rusë kanë kërkuar tre vite e gjysmë burgim për kreun e opozitës ruse, Alexey Navalny. Pritet të mbahet procesi gjyqësor për kritikun e Kremlinit. Nëse ai dënohet, rrezikon seriozisht të përjashtohet nga sfera politike ruse.

Akuza kryesore është ajo e mos zbatimit të detyrimit të paraqitjes, pas një pezullimi që ai mori në vitin 2014 nga Gjykata e Moskës.

Avokatët e Navalny-t, kundërshtuan argumentin duke theksuar faktin se është Gjykata ruse, ajo që ishte e paaftë të implementonte vendimin e Këshillit Evropian për të Drejtat e Njeriut. Sipas këtij organi, gjykimi ndaj Navalny-t ishte i motivuar politikisht dhe duhej kthyer.

Qindra mbështetës të Navalny-t ndërkohë, raportohet të jenë mbledhur përpara gjykatës. Arrestimi i Navalny-t pas rikthimit në Rusi, ngjalli reagime në popull. Dy protesta masive janë mbajtur të shtunën e 24 dhe 31 janarit. Në të dy protestat së bashku, janë arrestuar rreth 10 mijë qytetarë rusë.

Thirrje ka pasur edhe nga ndërkombëtarët për lirimin e Navalny-t. Të gjitha këto janë shpërfillur nga Kremlini. Madje, përgjigja ndaj mbështetësve të Navalny-t, ka qenë më e rëndë.

Situata e ndërlikuar në Rusi është raportuar vetëm falë mediave sociale. Pamjet e dhunës kanë bërë xhiron e botës. Thirrjet kryesore kanë qenë “Poshtë Putin-i” dhe “Një për të gjithë, të gjithë për një”.

Alexei Navalny është helmuar në gusht të vitit 2020 me një agjent kimik shumë të rrezikshëm. Hamendësohet se autoritetet ruse janë përgjegjëse. Gjithsesi, asgjë nuk është e konfirmuar.

Mbetet për t’u parë vendimi që Gjykata do të japë dhe çfarë reagimi do të shkaktojë tek qytetarët.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore