Lajme

KDI: Vazhdimi i dialogut me Serbinë mos ta gjejë Kosovën pa strategji dhe platformë


Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), ka thënë se vazhdimi i dialogut me Serbinë “nuk duhet ta gjejë Kosovën të papërgatitur, pa plan dhe pa qartësi rreth këtij procesi”.

KDI u ka bërë thirrje Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentes Vjosa Osmani si bashkudhëheqës të politikës së jashtme, që ti kushtojnë vëmendje të veçantë kësaj çështje.

“KDI kërkon nga Qeveria në koordinim me Presidencën, që sa më parë ta përgatisin Strategjinë dhe Platformën Shtetërore për Dialogun me Serbinë, ku artikulohen qartë e argumentohen mirë kërkesat e Kosovës lidhur me këtë proces”, thuhet në njoftimin e KDI-së.

Sipas KDI-së, konsolidimi i këtyre dokumenteve nuk duhet ta anashkaloj rolin rolin mbikëqyrës të Kuvendit në këtë proces të rëndësishëm shtetëror, duke garantuar bashkërendim të institucioneve, gjithë përfshirje, llogaridhënie dhe transparencë.

“Kryeministri dhe Presidentja, duhet të iniciojnë dhe t’i kontribuojë ndërtimit të konsensusit politik lidhur dialogun. Ndërsa, subjektet opozitare duhet të jenë të përgjegjshme për arritjen e konsensusit për këtë çështje të interesit shtetëror, duke treguar përkushtim dhe konstruktivitet në tejkalimin e pengesave në arritjen e pajtueshmërisë”, vijon njoftimi.

Po ashtu theksohet se nga deklaratat publike të lehtësuesve të procesit të dialogut Kosovë-Serbi, ka sinjale të qarta se një takim mes palëve edhe mund të ftohet së shpejti.

I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka thënë se marrëveshja mes dy vendeve është “teknikisht e realizueshme brenda pak muajsh, nëse të dy palët duan dhe kanë vullnetin politik”.

Kështu është shprehur Lajçak në një intervistë për agjencinë serbe të lajmeve Beta, ku vuri në dukje se anëtarët e BE-së “presin që dialogu të vazhdojë pa vonesë dhe të arrihet një përparim në negociatat për një marrëveshje gjithëpërfshirëse”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore