Lajme

Lajçak: Nëse ka vullnet politik, marrëveshja Kosovë-Serbi e mundur brenda disa muajve


I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka thënë se marrëveshja mes dy vendeve është “teknikisht e realizueshme brenda pak muajsh, nëse të dy palët duan dhe kanë vullnetin politik”.

Kështu është shprehur Lajçak në një intervistë për agjencinë serbe të lajmeve Beta, ku vuri në dukje se anëtarët e BE-së “presin që dialogu të vazhdojë pa vonesë dhe të arrihet një përparim në negociatat për një marrëveshje gjithëpërfshirëse”.

Ai ka theksuar se udhëheqësit në Kosovë dhe në Serbi, duhet të “investojnë në përpjekje dhe në kapital politik, të kenë vullnet dhe guxim politik si dhe të kenë mirëkuptim për popujt e tyre”, shkruan gazeta serbe Danas.

Tutje ai ka thënë se çështjet nën diskutim dhe shpejtësia varen nga vullneti i të dy palëve, kurse “BE-ja është këtu për të siguruar që gjithçka të jetë në përputhje me ligjin ndërkombëtar”.

“Shtetet anëtare të BE-së, presin vazhdim të menjëhershëm dhe përparim të shpejtë drejt marrëveshjes”, ka thënë Lajçak duke theksuar se marrëveshja duhet të gjejë zgjidhje të qëndrueshme dhe të kontribuojë në stabilitetin e të gjithë Ballkanit Perëndimor.

Kur pyetet se çfarë pret nga vazhdimi i dialogut nëse Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç deklaron se kushti pa të cilin nuk ka negociata është që të zbatohet dispozita kryesore e Marrëveshjes së Brukselit për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe nëse Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti refuzon, Lajçak ka thënë se “BE është ndërmjetës dhe se përparimi varet nga të dy anët”.

Lajçak deklaroi se ai beson që arritja e tij kryesore gjatë vitit në cilësinë e të dërguarit special për dialogun Kosovë-Serbi dhe çështje të tjera rajonale është se dialogu rinisi në korrik të vitit 2020, pas një pauze prej 20 muajsh.

“Nuk ishte detyrë e lehtë, ne patëm sukses në vendosjen e një kornize të qartë për procesin, që është arritja e një marrëveshje gjithëpërfshirëse, ligjërisht e detyrueshme për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë në përputhje me ligjin ndërkombëtar”, ka thënë Lajçak.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore