Zgjedhjet në Shqipëri

KAS-i vendos përfundimisht, Berati nuk ndryshon mandate


Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ka marrë vendimin përfundimtar për qarkun e Beratit, duke e lënë të paprekur rezultatin e zgjedhjeve të 25 prillit.

Kështu, kërkesat e Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim për pavlefshmëri të zgjedhjeve në këtë qark, janë rrëzuar.

Janë rinumëruar në tërësi 114 kuti të këtij qarku. Pas publikimit të rezultateve të rishikuara, asgjë nuk ndryshon në kontekstin e mandateve. Pesë do të marrin socialistët dhe dy demokratët.

Pas këtij vendimi, palët kanë kohë pesë ditë, për ta ankimuar në Kolegjin Zgjedhor çështjen.

Të hënën e 24 majit ndërkaq, do të fillojë shqyrtimi i ankimimeve për qarkun e Durrësit. Relator i këtij qarku, do të jetë anëtari i KAS-it, Koli Bele.

Janë dhjetë qarqet e ankimuara nga PD-ja dhe LSI-ja për zgjedhjet e 25 prillit. Prej tyre, shqyrtimi ka nisur edhe për qarkun Gjirokastër.

Të vetmet qarqe ku nuk ka kërkesë shqyrtimi, janë Kukësi dhe Dibra. Të dy këto qarqe, kanë nxjerrë shumicë mandatesh demokrate karshi atyre socialiste.

Nëse Kolegji Zgjedhor lë në fuqi vendimin e KAS-it, atëherë rezultati nuk ka më mundësi për t’u shqyrtuar.

Pse u ankimua Berati?

Rezultati i qarkut Berat në zgjedhjet e 25 prillit ka qenë shumë i ngushtë. Pak vota në kutitë e fundit i dhanë PS-së mandatin e pestë, duke lënë jashtë ulëseve të Kuvendit LSI-në.

Këta të fundit, në zgjedhjet e vitit 2017, kishin marrë dy mandate kundrejt katër të socialistëve dhe një të demokratëve.

Në zgjedhjet e reja, LSI-ja mbeti tërësisht jashtë Parlamenti në këtë qark – bastion të socialistëve të qendrës, në të cilin është lindur edhe kreu historik i tyre, Presidenti aktual i Shqipërisë, Ilir Meta.

Nga LSI-ja u hodhën akuza për manipulim të votave në këtë qark, me qëllim djegien e qëllimshme të mandatit të tyre.

Pikërisht për këtë fakt, ata e ankimuan në KAS qarkun.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore