Sport

Juventus, prezantohet Allegri: Pres shumë prej Ronaldo-s


Juventus-i ka prezantuar gjatë ditës së martë trajnerin e ri të ekipit, Massimiliano Allegri-n. Tashmë për bardhezinjtë ka nisur epoka e dytë e Allegri-t, pas asaj përgjatë viteve 2014-2019.

Allegri është një nga trajnërt më të trofeshëm në historinë e Juventus-it. Ai ka fituar 11 trofe me “Zonjën e Vjetër”, pesë Serie A, katër Kupa të Italisë dhe dy Superkupa të Italisë. Pa harruar edhe dy finale Champions League, ku nuk ka mundur të fitojë trofeun.

Trajneri është pyetur nga gazetarët rreth yjeve të ekipit që janë në mëdyshje për të vijuar karrierën në Torino, por për teknikun gjithçka duket e vulosur.

“Cristiano shënoi 130 gola për Juventus-in, unë pres shumë prej tij. Dybala do të jetë zëvendës kapiten pas Chiellini-t”, ka thënë Allegri.

“Rabiot ka cilësi të rëndësishme, si mesfushor i duhet të bëjë shumë më shumë sesa tre golat e vitit të kaluar. McKennie është një lojtar që ka instiktin për gola”.

“Ne duhet të shënojmë 75 gola”, tha livornezi, duke iu referuar golave të shënuar në Serie A brenda një sezoni.

I pranishëm në konferencën për shtyp gjatë prezantimit të Allegri-t ishte dhe Presidenti i bardhezinjëve, Andrea Agnelli.

“Max është trajneri i Juventus-it sepse ai ka personalitetin për të shkruar një kapitull të ri”, tha Presidenti i Juventus-it.

“Nuk është një zgjedhje e zemrës apo e dashurisë, e cila ende ekziston, por i njohjes së aftësive ndaj Maksit, kështu që ai është trajneri i duhur”.

Gjithashtu Agnelli ka folur edhe për rinovimin e kontratës së kapitenit të Juventus-it, Giorgio Chiellini-t, i cili është pa kontratë aktualisht.

“Për Chiellini ju (gazetarët) më argëtoni si zakonisht, lexova se ai ishte i zhgënjyer sepse nuk u thirr. Mu duk qesharake të ndërpresësh pushimet e kapitenit të Juves dhe të vish të nënshkruash kontratën”.

“Para se të shkruash, të paktën informohu. Ai ka luajtur me ne për njëzet vjet. Nuk ka asnjë problem me Chiellini-n”, përfundoi Agnelli.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore