Lajme

Junta ushtarake në Myanmar akuzon Aung San Suu Kyi për korrupsion


Aung San Suu Kyi

Mediat në Myanmar kanë deklaruar të premten e 11 qershorit se ish-udhëheqësja Aung San Suu Kyi është akuzuar për korrupsion nga junta ushtarake e vendit. Duke shtuar një varg çështjesh ligjore kundër fitueses së Çmimit Nobel për Paqe.

Akuza e re i pason një hetimi të mëparshëm ndaj Suu Kyi nga Komisioni Antikorrupsion. Kjo e fundit e shpalli atë “fajtore për kryerjen e korrupsionit duke përdorur detyrën e saj”, tha media shtetërore “Global New Light”.

Ajo u akuzua sipas nenit 55 të Ligjit Antikorrupsion. Nëse shpallet fajtore mund të përballet me një dënim maksimal me burg prej 15 vjetësh.

Qeveria e Suu Kyi u rrëzua nga ushtria. Ajo është mbajtur në paraburgim që nga ajo kohë dhe është akuzuar për një sërë krimesh. Avokatët dhe mbështetësit e saj i konsiderojnë të motivuara politikisht.

Komisioni tha se Suu Kyi “e keqpërdori autoritetin e saj” në marrjen me qira të tokës dhe një ndërtese për të hapur selinë e Fondacionit Daw Khin Kyi, ku ajo shërbeu si kryetare.

Ajo tha se një kërkesë për tokën për të krijuar një Shkollë Profesionale të Hortikulturës si pjesë e fondacionit, në Naypyidaë, nuk ishte kryer “në përputhje me procedurat, por me fuqinë dhe autoritetin e saj”.

Komisioni gjithashtu tha se Suu Kyi “pranoi në mënyrë të paligjshme” 600 mijë dollarë në dorë, si dhe ar, ndërsa ishte në detyrë. Akuza vjen nga një ankesë e hershme në mars nga një ish-ministër Rajonal i Yangon.

Çfarë ka ndodhur deri tani?

Aung San Suu Kyi u paraqit në gjykatë në Naypyidaë më 24 maj për herë të parë që kur ushtria e arrestoi atë në një grusht shteti në shkurt.

Avokati i Suu Kyi, Khin Maung Zaë i quajti rastet e ryshfetit dhe korrupsionit “absurde” dhe “të pabazuara”.

Tre ish zyrtarë të tjerë po akuzohen gjithashtu për korrupsion. Dosjet e çështjes u hapën kundër tyre në stacionet e policisë të mërkurën.

Suu Kyi është akuzuar për një seri krimesh që përfshijnë posedim të paligjshëm të radio dorë-marrëse dhe shkelje të kufizimeve të coronavirus-it gjatë fushatës zgjedhore vitin e kaluar.

Gjyqi i saj për këto akuza fillon më 14 qershor dhe pritet të përfundojë më 26 korrik, sipas ekipit të saj ligjor.

Veçmas, Suu Kyi akuzohet për shkelje të Aktit Zyrtar të Sekreteve dhe nëse shpallet fajtore përballet me një maksimum prej 14 vjet burg.

Ushtria, e udhëhequr nga Gjenerali Min Aung Hlaing, mori pushtetin pasi pretendoi mashtrim të gjerë të votuesve gjatë zgjedhjeve të nëntorit 2020-ë. Komisioni zgjedhor mohoi çdo mospërputhje në votim.

Lidhja Kombëtare për Demokraci e Suu Kyi i fitoi zgjedhjet duke marrë mandatin e dytë në qeveri.

Protestat në Myanmar

Katër muaj që nga grushti i shtetit janë zhvilluar shumë protesta mbarëkombëtare pro-demokracisë dhe kundër arrestimit të Suu Kyi.

Junta ushtarake është përplasur me protestuesit ku kanë vdekur qindra vetë që prej arrestimit të Suu-së.

Më shumë se 850 njerëz janë vrarë nga forcat e sigurimit dhe 5 mijë e 941 janë arrestuar që nga grushti i shteti.

Midis tyre janë protestues, aktivistë, gazetarë, njerëz të famshëm, zyrtarë të qeverisë, si dhe fëmijë dhe kalimtarë të rastit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore