Jetesë & Stil

Jeta e modeles Claudia Schiffer


Claudia Schiffer e filloi karrierën në moshën 17 vjeçare në një disko, nga ku filloi udhëtimin drejt pasarelave të botës.

Ajo ka qenë pjesë e më shumë se e 700 kopertina revistash në karrierën e saj të gjatë, ndërsa bukuroshja gjermane kishte treguar në të kaluarën se nuk konsiderohej gjithmonë tërheqëse dhe ishte shpesh objekt talljeje, për shkak të pamjes së saj të jashtme.

Në një revistë për “InStyle” ajo u shpreh: “Gjithmonë ulesha në rreshtin e pasmë në shkollë. Fëmijët e tjerë më ngacmonin gjatë gjithë kohës. Përveç kësaj, unë isha shumë e hollë dhe më e gjatë se të tjerët. Mendova se ishte keq. Pastaj takova një zbulues talentesh që më tha se mund të isha modele. Atëherë kuptova se ‘defektet’ e mia janë në të vërtetë një avantazh në botën e modës”.

Modelja e famshme ka thënë se ishte një adoleshente shumë e ngathët, që skuqej vazhdimisht, shumë e ndrojtur dhe i mungonte vetëbesimi.

“Moda është shpëtimtari im. Nëse nuk do të isha bërë modele, mendoj se do të isha ende një gjermane e ndrojtur, e cila nuk dinte të merrej me shumë gjëra elementare”.

Ajo lindi në qytetin gjerman të Rheinberg, më 25 gusht 1970. Si fëmijë, ëndërronte të bëhej avokate, si babai i saj, Heinz Schiffer, por fati kishte plane të tjera për të. Në moshën 17 vjeçare u zbulua nga Michael Levaton, pronari i një agjencie të njohur mode, i cili e bindi të fillojë modelimin.

Claudia kurrë nuk pranoi të fotografohej krejtësisht e zhveshur. Ajo ka zbukuruar kopertinat e  revistave të tilla, si “Rolling Stone”, “New York Times” e “People”.

Ajo eci në pasarelë për herë të parë në krijimet e Karl Lagerfield. Pas kësaj shfaqjeje, ofertat nuk pushuan.

Vitet 90′ ishin të arta për shumë supermodele të kalibrit të saj, si Cindy Crawford, Christy Turlington, Naomi Campbell e Linda Evangelista.

Këto bukuroshe të reja asokohe po fitonin shuma marramendëse parash, duke lënë pas yje të futbollit, filmit dhe skenës.

Ajo që e dallon Claudia-n nga të tjerat, është se ajo është mjaft e qetë dhe imune ndaj skandaleve të jetës private. Claudia është e martuar që nga viti 2002 me regjisorin britanik Matthew Vaughn, me të cilin tani ka edhe tre fëmijë. Familja e saj jeton në lagjen e famshme Notting Hill të Londrës.

 

 

 

 

 

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore