Kampionate

Javë vendimtare, Genoa pranë shitjes te fondi amerikan


Një nga klubet më të vjetër në futbollin italian, Genoa, e themeluar 128 vite më parë pritet që brenda javës të ndërrojë pronar.

Enrico Preziosi, presidenti aktual i klubit thuhet se ka pranuar ofertën e fondit amerikan “777 Partners”. Çmimi i dakordësuar për aksionet e klubit është 150 milionë euro.

Sipas gazetës italaine “Repubblica”, pagesa e parë nga fondi në drejtim të Presidentit Preziosi do të bëhet më 22 shtator.

“777 Partners” është një fond me seli qëndrore në Miami, i themeluar nga Steven Pasko dhe Josh Wander në vitin 2015.

Fondi merret me asete, shërbime financiare, teknologji dhe së fundi është përfshirë edhe në fushën e sigurimeve, aviacionit dhe argëtimit.

Në total “777 Partners” përbehet nga 49 kompani, mes të cilave “1190 Sports” dhe “Fanatiz”, që janë të njohura në botën e sportit.

Në vitin 2018, fondi amerikan u përfshi në futbollin Evropian pasi mori 6% të aksioneve të klubit spanjoll të Sevilla-s.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore