Shqipëria

Japonia me të dërguar të posaçëm për Ballkanin, pse?


Kryeministri japonez, Fumio Kishida, gjatë një konferencë të përbashkët për shtyp me kreun u Qeverisë shqiptare, Edi Rama, i cili ndodhet në një vizitë zyrtare disa-ditore në Tokyo, bëri me dije se ka ndërmend të caktojë një të dërguar të posaçëm për vendet e Ballkanit Perëndimor.

Kështu, duke ndjekur një praktikë tradicionale tashmë të vendeve perëndimore, të cilat përcaktojnë ambasadorë me pozitë sa simbolike, aq edhe strategjike, për të mbuluar rajone të ndryshme.

Fjala bie, vitet e fundit, SHBA-të kanë caktuar Gabriel Escobar si të dërguar të veçantë dhe nga ana tjetër, Britania e Madhe, ka caktuar ushtarakun Sir. Stuart Peach.

Kjo gjë, bëhet për të pasur një bashkërendim të punëve ndërshtetërore në gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor, duke qenë se mundësia për destabilitet është e lartë, por potenciali për integrim të përbashkët në Bashkimin Evropian, është po ashtu në të tilla nivele.

Mirëpo, vendimi i marrë nga Kishida për caktimin e ambasadorit të posaçëm japonez për rajonin, ngjason “i çuditshëm” si i ardhur nga një shtet i largët aziatik, gjë e cila kapi “pa përgatitur” edhe kryeministrin Rama, i cili në çastin kur homologu japonez e deklaroi faktin, e mbajti shënim për ta përmendur më pas në fjalën e tij aspektin.

Arsyet që Kishida dha për përcaktimin e një të dërguari të tillë, ishin ato të mbështetjes së padiskutueshme karshi të gjithë vendeve të rajonit, për të shkuar drejt integrimit evropian.

Por, gjithashtu, edhe të zbulimit të partneriteteve strategjike ekonomike rajonale disa-palëshe.

Japonia në fakt, vetëm së fundmi, në vitin 2017, e ka hapur selinë e saj diplomatike në Shqipëri. ndaj, vendosja kaq e shpejtë për një të dërguar të veçantë, mbart në vetvete edhe fakte të tjera strategjike.

Së pari, Japonia është një ndër fuqitë ekonomike më të mëdha të botës dhe bën pjesë në grupimin G7, si e vetmja ekonomi aziatike në të.

Lidhur me këtë fakt, Tokyo gjithnjë ka qenë qendër e rëndësishme botërore për zhvillimet politike dhe ka luajtur rol strategjik.

Mbi të gjitha, është vendi aziatik më perëndimor historikisht, duke qenë se aderon në çdo organizatë me qëndrime në mos të pajtueshme plotësisht, shumë të përafërta me ato të SHBA-ve, Bashkimit Evropian apo Britanisë së Madhe.

Kështu, vetë fakti se do të ketë një të dërguar të posaçme, tregon një prani të shtuar të ndikimit perëndimor në Ballkan.

Nuk duhet harruar edhe një “rivalitet” i kahershëm që Japonia ka me Kinën, me të cilën në të shkuarën ka pasur edhe konflikte të mirëfillta.

Pavarësisht se diplomatikisht, gjakrat nuk janë të acaruara mes vendesh, sërish fërkimet midis shteteve janë të herë pas hershme në qëndrimet e marra.

Për shembull, siç është edhe faktori i luftës në Ukrainë, ku Kina nuk ka vendosur sanksione për Rusinë, ndërsa Japonia, ndaj Moskës, është linjëzuar identikisht ashtu si SHBA-të dhe Bashkimi Evropian.

Pra, një prezencë e shtuar japoneze në Ballkan, mundet rrjedhimisht të shmangë një pjesë të influencës kineze, duke sjellë nga Azia eksperienca, biznese, investime, nga Lindja, por në metodologji dhe qasje Perëndimore.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore