Lajme

Izraeli përjeton një nga protestat më masive në histori


Qindra mijëra izraelitë kanë marrë pjesë në atë çfarë është cilësuar si një prej protestave më të mëdha në historinë e vendit.

Prej 10 javësh me demonstrata dhe marshime në rrugë, plani radikal i qeverisë ultra të djathtë të kryesuar nga Benjamin Netanyahu nuk po i shkon për shtat idealeve të popullit, i cili është derdhur sërish rrugëve në qytetet kryesore, ku siç është raportuar, vetëm në Tel Aviv numri ka arritur në 200 mijë protestues.

“Reforma do të minojë demokracinë”.

Ky ka qenë slogani kryesor i demonstruesve, të cilët janë përballur sërish me kokëfortësinë e kryeministrit Netanyahu, i cili ka shtjelluar se sipas tij, reforma është thjesht në të mirë të vendit dhe të ardhmes.

Në bazë të shifrave të dhëna nga organizatorët e protestës ndërkohë, në gjithë qytetet izraelite, numri tërësor i protestuesve ka kapur 500 mijë të shtunën e 11 marsit në mbrëmje.

Kreu i opozitës, Yair Lapid, ishte në qytetin jugor të Be’er Sheva, ku iu adresua turmës me mesazhin e qartë se vendi po kalon krizën më të madhe që ka parë ndonjëherë.

“Një valë terrorizmi po na godet. Ekonomia po shkërmoqet. Paratë po dalin jashtë vendit. irani ndërkohë sapo nënshkroi një ujdi të re me Arabinë Saudite dhe ku e ka mendjen Qeveria? Të copëtojë demokracinë e vendit”.

Me ovacione të mëdha nga qindra mijëra protestuesit që e mbështesin, kështu foli Lapid, duke u treguar i ashpër me Netanyahun dhe duke përdorur edhe kartën e politikës së jashtme për retorikën e brendshme politike.

Izraeli po përballet me një situatë kaotike prej muajsh tashmë, ku nga një anë Qeveria kërkon reforma gjyqësore si edhe po ndjek një politikë shumë të ashpër në rajonin e “West Bank”, me ndërhyrje të shpeshta ushtarake dhe me bindjen se dhjetëra mijëra vendbanimet izraelite që po ndërtohen aty, janë rruga e duhur për t’u ndjekur.

Ndërkaq, nga ana e palestinezëve, në shenjë revolte, ka pasur sulme të shtuara kundrejt izraelitëve, ku nuk janë kursyer as institucionet fetare.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore