Lajme

Izraeli nis sulmet ajrore më masive në Gaza – Palestinezët në emergjencë spitalore – 900 izraelitë dhe 687 palestinezë të vrarë nga luftimet


Izraeli ka deklaruar zyrtarisht se do të nisë sulmet më masive ajrore në histori në Rripin e Gazës, teksa e ka vendosur territorin ku jetojnë mbi 2 milionë palestinezë në një shtetrrethim të vërtetë, në përpjekje për të zhdukur krejtësisht Hamasin.

Deri tani janë goditur sipas raportimeve nga mediat izraelite mbi 1 mijë objekte të lidhura me Hamasin, ku Ushtria ka shtuar po ashtu se raketimet do të vijojnë pa pushim.

Godina rezidenciale, Xhamia, universitete, spitale – asgjë nuk po kursehet në Gaza, sipas raportimeve mediatike, përfshi edhe nga media e Katarit, Al Jazeera, e cila ndodhet me korrespondentët e saj aty.

Qielli i Gazas ndërkaq i ngjan një apokalipsi të vërtetë, me dronët që fluturojnë mbi kokat e palestinezëve orë e minutë, duke goditur shënjestra të reja.

Sistemi shëndetësor i Gazës mund të shkojë drejt kolapsit në ditët në vijim ndërkaq, mes ndërprerjeve të energjisë elektrike të imponuara nga Izraeli.

Kështu ka paralajmëruar Mohammed Abu Mughaiseeb, një referent mjekësor për Mjekët pa Kufij (MSF) në Gaza.

“Kjo është ndërprerje në rrymë, po ashtu ka edhe tani ndërprerje në telekomunikacion dhe internet në disa fusha”, ka treguar ai.

Sistemi spitalor i Gazës mund të shkojë drejt kolapsit, paralajmëron një zyrtar

Ai mendon se brenda disa ditësh nëse gjërat nuk qetësohen, të paktën që të ketë një armëpushim humanitar, “situata do të jetë fatale në spitale”.

Ai ka thënë po ashtu se “nuk ka vend të sigurt” në Gaza.

“Civilët që u plagosën ose u vranë, janë dëme kolaterale dhe më pas do të jenë numra – vetëm numra, numra të shtuar”, ka vijuar ai.

Ndërsa, sa i takon bilancit, është pak të thuhet se mbetet në shifra më shumë se tragjike.

Të paktën 900 persona kanë mbetur të vrarë në Izrael, me 2 mijë e 243 të plagosur, thotë Ministria e Shëndetësisë.

Luftimet midis forcave izraelite dhe terroristëve të Hamasit po vazhdojnë në shtatë deri në tetë lokacione rreth Rripit të Gazës brenda Izraelit, thotë tani IDF-ja.

“Ne jemi ende duke luftuar. Ka nga shtatë deri në tetë vende të hapura rreth Gazës (ku) ne kemi ende luftëtarë që luftojnë terroristët”, u tha gazetarëve zëdhënësi ushtarak Richard Hecht.

“Ne menduam se deri dje do të kishim kontroll të plotë”, thotë ai. “Shpresoj se do ta bëjmë deri në fund të ditës”.

Ministria e shëndetësisë e drejtuar nga Hamasi në Rripin e Gazës thotë se 687 palestinezë janë vrarë dhe 3 mijë e 726 janë plagosur.

Në West Bank sakaq janë të paktën 16 të vrarë dhe 80 të lënduar pas shkëmbimeve mes palëve.

Forcat e Mbrojtjes së Izraelit thonë se kanë vrarë qindra terroristë të tjerë palestinezë në territorin izraelit.

Në zhvillime të tjera, luftimet duket se janë intensifikuar edhe në frontin jugor me Libanin, ku një pjesëtar i grupimit të Hezbollahut është vrarë nga forcat izraelite.

Një militant i Hezbollahut është vrarë nga Forcat e Izraelit

Kështu, duke e kthyer kufirin në “aktiv” dhe duke bërë që Hezbollah të ngrihet me deklaratë, ku flitet për hakmarrje.

E gjitha, pasi eksponentë të këtij grupimi kanë çfarë kufirin dhe kanë hyrë në territor izraelit, për të mbështetur Hamasin.

Ndërsa, në rrugë zyrtare, 16 deputetë izraelitë të koalicionit qeverisës i kanë kërkuar kryeministrit, Benjamin Netanyahu, që të fillohet marrja e plotë e kontrollit në Gaza dhe asgjësimi i Hamasit dhe eksponentëve të saj.

16 deputetë izraelitë kërkojnë marrjen e plotë të kontrollit në Gaza dhe eliminimin e plotë të Hamasit

Teksa, Bashkimi Evropian, i ka pezulluar rreth 690 milionë euro fonde, të cilat shkonin në ndihmë të palestinezëve.

BE pezullon fondet e ndihmave për palestinezët, pas sulmeve të Hamasit

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore