Gatimi

Italia në shtëpinë tuaj, më një recetë të thjeshtë


Disa receta të thjeshta për të na kursyer kohë, në ditë të tilla me diell, do t’i preferonin të gjithë. Receta klasike italiane e makaronave me domate, karkaleca dhe erëza të freskëta do të shndërrohet në një nga gatimet tuaja të preferuara.

Ja si ta gatuani në shtëpi shumë lehtë dhe të shijoni një vakt të shijshëm.

Përbërësit:  500 gr makarona, 250 gr karkaleca të freskët, 200 gr domate të freskëta, disa gjethe borzilok, vaj ulliri, kripë, piper.

 

Përgatitja:

Së pari, lajmë dhe pastrojmë karkalecat duke u hequr kokën dhe bishtin dhe lëmë vetëm pjesën e butë të mishit. Pas pastrimit, i lëmë mënjanë në një pjatë për t’i përdorur më vonë.

Nisim të lajmë dhe pastrojmë domatet dhe i grijmë në pjesë shumë të holla në rénde. Ndërkohë, marrim një tigan ku vendosim vaj ulliri dhe masën e domateve që premë.

Fillojmë t’i skuqim domatet deri në momentin që shohim se uji ka avulluar plotësisht. Mos harroni të shtoni kripen dhe piperin. E provojmë salcën me një lugë dhe nëse domatja është më e thartë seç duhet, i shtojmë pak sheqer.

Pasi mbarojmë me domatet marrim një tigan tjetër. Vendosim mbi të vaj ulliri për të skuqur pak karkalecat.

Pasi të kenë marrë ngjyrë, i bashkojmë me salcën e domateve që gatuam më parë.

Vendosim në zjarr një tenxhere me ujë dhe pak kripë. Kur shohim që uji ka nisur të ziejë, vendosim makaronat.

Përziejmë makaronat dy-tri herë në fillim, dhe i lëmë të ziejnë për 10-12 minuta.

Heqim tenxheren nga zjarri, kullojmë makaronat dhe shtojmë salcën e domateve me karkalecat. Shtojmë sipër disa gjethe borziloku të freskët dhe është gati për t’u shijuar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore