Zgjedhjet në Shqipëri

Ish-ministrja Shahini: Të dielën, në Tiranë do të votoj PS-në


Ish-ministrja e Arsimit dhe Sportit dhe Rinisë, në Shqipëri, Besa Shahini, të premten e 23 prillit, përmes një postimi në median sociale Facebook, ka njoftuar se në zgjedhjet parlamentare të Shqipërisë, “do të votojë për Partinë Socialiste (PS)”.

“Të dielën do të shkoj në Tiranë për të votuar Partinë Socialiste, grupin politik me të cilin shërbeva për tre vite në qeverinë e Republikës së Shqipërisë. Kritikat e mia për PS-në qëndrojnë ende”, shkroi ajo.

Gjithashtu, Shahini ka treguar mbështetje për tre nga gratë, kandidate për deputet në zgjedhjet e 25 prillit.

“Po të mund të votoja jashtë qarkut tim, do i jepja votën time Lindita Nikollës në Lezhë”, tha ajo duke theksuar rolin e saj në reformën në arsim.

Ndërsa, u shpreh se do të votonte për kandidaten për deputet në Durrës, Milva Ekonomin, për ndihmën që iu dha qytetarëve të prekur nga tërmeti.

Po ashtu, ka shprehur dhe përkrahjen ndaj Anila Denajt, kandidate për qarkun e Vlorës, për të cilën u shpreh se “drejtoi suksesshëm sfidat marramendëse financiare me të cilat u ballafaquam kur pandemia”.

Besa Shahini, mori drejtimin e ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë, në Shqipëri, në janar të 2019-së. Ajo i ka shërbyer arsimit deri në shtator të 2020-së, ku u zëvendësua me ministren e tanishme për Arsimin, Evis Kushi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore