Lajme

Irani thotë se ka ekzekutuar liderin e rrjetit të trafikimit të grave


Gjyqësori i Iranit tha të shtunën se kishte ekzekutuar kreun e një rrjeti që trafikonte gra iraniane në vendet fqinje për prostitucion.

Shahrooz Sokhanvari, një burrë i njohur si “Alex”, ishte udhëheqësi i një “rrjeti të shoqërimit dhe trafikimit të grave dhe vajzave iraniane në disa vende të rajonit”, njoftoi agjencia e lajmeve të gjyqësorit Mizan.

Në lajm thuhet se Sokhanvari u ekzekutua të shtunën në mëngjes “për krimin e trafikimit të qenieve njerëzore me qëllim prostitucioni”.

Mediat iraniane raportuan në vitin 2020 se “Alex” ishte arrestuar në Malajzi në koordinim me Interpolin dhe ishte sjellë në Iran.

Ai u dënua me vdekje në shtator 2021 me akuzat për “korrupsion në tokë”, një term që autoritetet iraniane përdorin për t’iu referuar një gamë të gjerë veprash, duke përfshirë ato që lidhen me moralin.

Agjencia aktiviste e lajmeve HRANA, nga ana tjetër, bëri me dije se disa gra ishin arrestuar gjithashtu në të njëjtin rast dhe u përballën me akuza të rënda.

Ekzekutimet e regjistruara në Iran u rritën nga 314 në vitin 2021 në 576 në 2022-shin, i dyti më i lartë në botë pas Kinës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore