Bota

Irani kërkon të prodhojë uranium 20%


Irani ka kërkuar të fillojë prodhimin e uraniumit 20%. Këtë e ka bërë me dije shefi i energjisë bërthamore në Iran, Ali Akbar Salehi, i cili ka pohuar se një letër i është dërguar Agjensisë Ndërkombëtare të Energjisë Bërthamore (ANEB) mbi këtë çështje.

Salehi ka deklaruar se “vendimi duhet kaluar në Parlament”. “Për momentin po presim urdhërat e nevojshëm nga presidenti Hassan Rouhani për të marrë masat e nevojshme”, ka theksuar Salehi.

Ndryshimi i prodhimit të uraniumit mund të ndodhë vetëm nën mbikqyrjen e ANEB-it.

Ndërkohë përsa i përket ekipit të tij, Salehi u është referuar si “ushtarë të sistemit Islamik dhe gjithçka presin janë urdhrat për fillimin e punës”.

Ky lajm vjen në vazhdën e bisedimeve të gjata mbi fuqinë bërthamore të Iranit. Edhe pse shifra 20% e pastërtisë së uraniumit mund të duket e madhe, përqindja minimale për të prodhuar bomba bërthamore është 90%.

Në bazë të marrëveshjes që u arrit në vitin 2015, Irani duhet ta ruante pastertinë në nivelin 4%. Gjithsesi, me ardhjen në presidencë të Donald Trump në SHBA, marrëveshja u prish.

Irani filloi më pas të kërkonte pasurimin e uraniumit. Pavarësisht kësaj, nën rregullat e paracaktuara, nuk u kalua asnjëherë pastërtia 4.5%.

Nga ana tjetër, shtete si Franca, Gjermania, Rusia, Kina, shpresojnë se marrëveshja mund të rikthehet.

Përse po vjen kjo kërkesë e Iranit?

Por edhe kjo kërkesë për rritjen e kapacitetit nuk vjen rastësisht. Shkak fillestar është bërë vrasja e shkencëtarit numër një për energjinë bërthamore në Iran, Mohsen Fakhrizadeh.

Fakhrizadeh u vra më 27 nëntor 2020 nga një shpërthim i telekomanduar. Irani dyshon se vrasjen e ka kryer inteligjenca izraelite.

Menjëherë pas vdekjes së Fakhrizadeh, Parlamenti i Iranit kaloi një ligj mbi energjinë bërthamore. Ligji synonte rritjen e pastërtisë në 20% nëse sanksionet mbi naftën dhe sektorin financiar në Iran nuk uleshin.

Kërkesa tjetër kishte të bënte me heqjen e inspektorëve të Kombeve të Bashkuara që kontrollonin uzinat bërthamore në Iran.

Me ardhjen e vitit 2021, sanksionet amerikane ndaj Iranit nuk janë zbutur. Së fundmi kemi dhe një tensionim të mëtejshëm të situatës. Data 3 janar shënon një vjetorin e vrasjes së gjeneral Khasem Soleimanit.

Këto ndërkohë janë ditët e fundit të Trump-it në presidencë. Duhet parë qasja që do të ketë presidenti i zgjedhur amerikan Joe Biden ndaj çështjes së Iranit. Fuqia bërthamore e shtetit në lindjen e mesme mbetet pjesa më delikate e bisedimeve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore