Lajme

Institucionet të bashkuara për të pagjeturit


Të bashkuar dhe të një zëri rreth fatit të të pagjeturve u treguan krerët e institucioneve në takim e së enjës me nënat nga organizata “Thirrjet e Nënave”. Brenga rreth fatit të të pagjeturve dhe angazhimi për zbardhjen e fatit të tyre, ka shoqëruar tërë takimin.

Presidentja Osmani ka deklaruar se prioritet i institucioneve të reja do të jetë gjetja tyre.

“Për institucionet e reja gjetja e më të dashurve tuaj – vajzave dhe djemve të cilët tashmë janë të të gjithë Kosovës, është prioritet. Përkushtohemi dhe ju premtojmë se do të punojmë pandërprerë që t´i gjejmë ata sa më parë të jetë e mundur”, është shprehur ajo.

Ndërsa Kryetari i Kuvendit, Konjufca ka deklaruar se dhimbjen për të pagjeturit e ndajnë me të gjithë familjaret e tyre.

“Ashtu si deri me tani, ne të gjithë e ndajmë dhimbjen me ju. Ju keni dhënë më të dashurit tuaj dhe keni bërë sakrificën më sublime që ne sot të jemi të lirë. Andaj, do të punojmë së bashku për të siguruar drejtësinë e vonuar”, ka deklaruar ai.

Kurse në fund Kryeministri Kurti ka dhënë premtimin se ai do të angazhohet fuqishëm për zbardhjen e fatit të të pagjeturve.

“Dhimbja dhe ankthi që ju përjetoni janë të pakrahasueshme. Ne do të punojmë vazhdimisht për të garantuar të drejtën tuaj për të ditur për fatin e më të dashurve tu”, ka deklaruar Kurti.

Nusrete Kumnova në emër të shoqatës “Thirrjet e nënave”, i ka falënderuar krerët e shtetit dhe ka kërkuar që sa më parë të dihet fati i të të zhdukurve.

“Të gjithë i kemi shpresat dhe pritjet e mëdha dhe po presim me padurim që të punohet e të veprohet prej së vërteti për të adresuar nevojat dhe kërkesat e nënave dhe familjareve të personave të zhdukur”, ka deklaruar Kumnova thuhet në njoftimin e presidencës.PK

Ende figurojnë edhe 1653 persona të pagjetur. Ndërsa, ditë më parë u konfirmua se eshtrat e zhvarrosura vitin e kaluar në Kizhevak të Serbisë u përkasin viktimave të luftës në Kosovë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore