Kosova

Institucionet e Kosovës nuk e respektojnë ligjin për sinjalizuesit


Qeveria e Kosovës

Ligji numër 06/L -085, për Mbrojtjen e Sinjalizuesve, i miratuar nga Kuvendi i Kosovës, parasheh që çdo institucion ta ketë zyrtarin sinjalizues, në të kundërtën pëson gjoba nga gjykata.

Në Nenin 27 të këtij ligji, obligohen institucionet ta zbatojnë këtë ligj.

“Gjykata kompetente shqipton gjobë prej pesëqind (500) euro deri në njëzetmijë (20.000) euro për institucionin publik apo subjektin privat si dhe autoritetin kompetent përkatës, në rast se nuk cakton zyrtarin përgjegjës”, thuhet në këtë ligj.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, me një video mesazh i ka inkurajuar të gjithë punonjësit që të sinjalizojnë parregullsitë, shkeljet ligjore dhe abuzimet.

Ai i ka siguruar se çdo raportues që raporton parregullsitë brenda institucionit ku punon mbrohet me ligj.

“Legjislacioni ynë për mbrojtjen e sinjalizuesve është tejet i avancuar është sipas standardeve ndërkombëtare ai ju garanton mbrojte, andaj sinjalizon”, ka thënë Kurti.

Por, jo të gjitha institucionet e Kosovës kanë vendosur sinjalizuesit e tyre, ashtu siç e përcakton ligji.

Albanian Post i ka shkruar Ministrisë së Punëve të Brendshme, të cilët kanë mbështetur nismën e Kurtit për raportimin e parregullsive, por kanë treguar se e kanë caktuar zyrtarin përgjegjës për sinjalizues.

“Njëkohësisht me kohë i është bashkëngjitur thirrjeve që për çdo parregullsi të raportojnë tek zyrtari për sinjalizim dhe secili që bën denoncim do t’i mbrohet e drejta e tij për raportim dhe do të mbrohet sipas të gjitha dispozitave ligjore që janë në fuqi”, thuhet në përgjigje.

“Pra edhe një herë ju bëjmë thirrje të gjithë zyrtarëve të Ministrisë së Punëve të Brendshme, që çfarëdo parregullsie apo dyshimi që kanë për ndonjë rast të raportojë”.

Kurse në faqen e tyre zyrtare nuk figuron emri i sinjalizuesit.

Sinjalizues në faqen e internetit nuk kanë as në Ministrinë e Drejtësisë, që i sponsorizon ligjet.

Edhe Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit nuk e ka plotësuar ligjin duke vendosur sinjalizuesin.

Shembullin e Ministrisë së Kulturës e ka ndjekur edhe Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.

E vetmja ministri që në faqen e tyre në internet ka vendosur emrin dhe kontaktin e sinjalizuesit është ajo e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë.

Në faqen e tyre të kontaktet sinjalizuese është vendosur zyrtarja Merlinda Rama.

“Zyrtarja përgjegjëse për sinjalizim, Merlinda Ramaj, zyrtare ligjore në MINT. email:[email protected], Tel: +38320036588”, shkruan në faqen e MINT.

Drejtori ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), Ehat Miftaraj, thotë se në këtë drejtim, edhe kërkesa e Kurtit duhet parë si mesazh i mirë dhe shprehje e vullnetit politik për zbatimin e këtij ligji.

Miftaraj kërkon që të ketë edhe fushata vetëdijësuese për ligjin për sinjalizuesit.

“Një ndër kërkesat e IKD në vitin e fundit ka qenë miratimi i akteve nënligjore që lidhen me zbatimin e Ligjit për Sinjalizues dhe ndërmarrja e aktiviteteve dhe kampanjave vetëdijësuese lidhur me këtë ligj”, ka thënë Miftaraj për Albanian Post.

Albanian Post ka provuar në shumicën e ministrive të gjej sinjalizuesit, por që nuk janë vendosur nëpër faqet e tyre zyrtare.

Por, praktika e mbrojtjes së sinjalizuesve në Kosovë nuk ka gjetur shumë zbatim, ashtu siç e përcakton ligji.

Të paktën në dy raste, shteti ka marr masa ndaj sinjalizuesve, përkundër që i mbron ligji.

Disa zyrtarë të Doganave të Kosovës kishin sinjalizuar një dallaverë me një veturë  ku vlera e të cilës kalonte mbi 200 mijë euro, e që ish-mis Kosova, Morena Taraku, kishte tentuar ta fuste pa e doganuar.

Hetimi kishte nisur për zyrtarët e doganave nga ana e Prokurorisë së Prishtinës me pretendimin se kishin nxjerrë sekretet e Doganave.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore