Lajme

India përpiqet të parandalojë deklasifikimin e dokumenteve ‘të ndjeshme’ të Kashmir-it të vitit 1947


India mund të parandalojë deklasifikimin e dokumenteve të vitit 1947 në lidhje me Kashmir-in, pasi ka frikë se letrat “e ndjeshme” mund të ndikojnë në marrëdhëniet me jashtë.

Të paktën kështu rezulton nga dokumentet e brendshme të qeverisë të para nga “The Guardian”.

Dokumentet, të njohura si letrat Bucher, besohet se përfshijnë argumente politike dhe ushtarake përse kryeministri i parë i Indisë, Jawaharlal Nehru, bëri thirrje për një armëpushim me Pakistanin dhe i dha status të veçantë shtetit të Jammu-së dhe Kashmir-it.

Rajonit në ultësirën e Himalajeve, për dekada të tëra iu dha një Kushtetutë e veçantë, një flamur dhe autonomi mbi të gjitha çështjet, përveç çështjeve të jashtme dhe mbrojtjes.

Dhe masat u panë nga vendasit si vendimtare për mbrojtjen e të drejtave të tyre në shtetin me shumicë myslimane.

Por në vitin 2019, nën kryeministrin nacionalist hindu, Narendra Modi, qeveria në Delhi hoqi zyrtarisht autonominë kushtetuese të shtetit të diskutueshëm, në një përpjekje për ta integruar atë plotësisht në Indi.

Sakaq, vendimi forcoi kontrollin e qeverisë mbi rajonin dhe ngjalli zemërim dhe pakënaqësi teksa një revoltë e armatosur prej tre dekadash vazhdoi të intensifikohej.

Dokumentet e Bucher i referohen komunikimeve midis gjeneralit Francis Robert Roy Bucher, i cili shërbeu si komandant i dytë i përgjithshëm i ushtrisë indiane midis viteve 1948 dhe 1949, dhe zyrtarëve qeveritarë, duke përfshirë Nehru.

Përgjatë viteve janë bërë disa përpjekje nga aktivistët për të deklasifikuar dokumentet për të hedhur dritë mbi arsyetimin e nenit 370, i cili i jepte Jammu-së dhe Kashmir-it statusin e veçantë.

Ndërkaq, dokumentet përmbajnë “çështje operacionale ushtarake në Kashmir dhe korrespondenca midis liderëve të lartë të qeverisë për çështje të ndjeshme politike në Kashmir”.

Ato janë mbajtur në Muzeun Përkujtimor dhe Bibliotekën Nehru, një organ autonom nën ministrinë e Kulturës të Indisë.

Sipas një burimi me njohuri për këtë çështje, dokumentet zbulojnë se Nehru ishte në dijeni dhe i informuar për zhvillimin ushtarak në Kashmir, duke përfshirë përpjekjet e Pakistanit për të përdorur ndihmën e jashtme ushtarake për të përshkallëzuar situatën.

“Roy Bucher sugjeroi një qasje politike për të zgjidhur situatën në përshkallëzim, duke pasur parasysh lodhjen ushtarake me të cilën përballen trupat indiane për shkak të 13 muajve të vendosjes ushtarake, duke përfshirë marrjen e çështjes para Kombeve të Bashkuara”, ka treguar burimi.

Kjo këshillë mund të ketë ndikuar në vendimin e Nehru për t’i dhënë Kashmir-it statusin special. Në vitin 1952, kryeministri argumentoi se aspiratat e popullit të Kashmir-it duhet të respektohen. “Dua të theksoj se janë vetëm njerëzit e Kashmir-it ata që mund të vendosin për të ardhmen e Kashmir-it”.

Dokumentet u dorëzuan nga Ministria e Punëve të Jashtme të Indisë në muzeun dhe bibliotekën Nehru në New Delhi në vitin 1970, me një shënim që thoshte se ato duhet të mbaheshin “të klasifikuara”.

Kështu, ato kanë mbetur në koleksionin e mbyllur të bibliotekës që atëherë.

Aktivisti Venkatesh Nayak ka bërë apele të shumta për të deklasifikuar dokumentet, një lëvizje që fillimisht u refuzua.

Në vitin 2021, komisioneri indian i informacionit vendosi se ishte në interesin kombëtar, por nuk urdhëroi zbulimin e dokumenteve thelbësore.

Urdhri këshillonte që biblioteka mund të kërkonte lejen e Ministrisë së Jashtme për të deklasifikuar punimet për kërkime akademike.

Në një letër të datës 12 tetor 2022 që është shqyrtuar nga “The Guardian”, kryetari i muzeut dhe bibliotekës, Nripendra Misra, i shkroi sekretarit të jashtëm të Indisë duke argumentuar se letrat janë “shumë të rëndësishme për kërkimin shkencor” dhe kërkoi deklasifikim.

“Ne kemi lexuar përmbajtjen e letrave të Bucher. Pikëpamja jonë është se punimet nuk duhet të mbeten të klasifikuara përtej mundësive të akademikëve. Ne po hapim letra edhe të figurave të tjera të rëndësishme publike”, ka argumentuar Misra.

Zakonisht, India lejon deklasifikimin e dokumenteve arkivore pas 25 vjetësh.

Ministria e Jashtme ka sqaruar në dokument se zbulimi i tyre duhet të pezullohet për momentin dhe ka këshilluar që “ndjeshmëria e dokumenteve të Roy Bucher dhe implikimet e mundshme të zbulimit të tyre” të shqyrtohen më tej.

Referuar burimeve, qeveria nuk ka marrë ende një vendim përfundimtar për këtë çështje.

Marrë nga “The Guardian”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore