Shqipëria

Meta: Qeveria po provokon sistemin zgjedhor, ministrja e Drejtësisë duhet të ishte në burg


Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, ishte i ftuar në Syri TV, me gazetarin Çim Peka. Gjatë bisedës, Meta u ndal edhe tek incidenti i ndodhur në zyrat e Frymës së Re Demokratike (FRD). Aty ku presidenti, së bashku me disa drejtues të FRD-së u përleshën me Policinë Bashkiake të Tiranës.

Kjo e fundit kishte shkuar te zyrat e partisë për t’i larguar nga aty, me pretekstin se ambienti i përkiste Bashkisë.

Ai tha se nuk ka pasur asnjë inskenim politik dhe se gjithçka ka ndodhur rastësisht.

“Së pari, nuk ka pse të ketë inskenim politik. Nuk kam provokuar asnjë tension në selinë e FRD-së, as unë, as drejtuesit e FRD-së aty, as personat që ishin me mua”.

Sipas Metës, presidenti ka si detyrë të mbrojë pluralizmin politik, duke e quajtur si të jashtëligjshëm ndërhyrjen e policisë bashkiake në zyrat e FRD-së. Gjithashtu tha se një person i skeduar ka ushtruar dhunë kundrejt drejtuesve të partisë. Ngjarja ka ndodhur disa ditë pas nënshkrimit të marrëveshjes midis partisë FRD me Partinë Demokratike (PD).

“U nisa drejt zyrave të FRD-së, pas telefonatës së z. Sali Shehu. Kur mbërrita aty kam parë tensionin dhe një përpjekje jo të drejtpërdrejtë për të më penguar. Në atë moment, një person i skeduar goditi drejtuesin e FRD-së të Tiranës dhe disa nga personat që më shoqëronin mua”.

Incidenti në Elbasan

Meta foli edhe për incidentin e ndodhur midis militantëve të Partisë Socialiste (PS) me ato të PD-së në qytetin e Elbasanit. Disa persona, të identifikuar nga PD si pjesë e bandave kriminale dhe njëkohësisht mbështetës të PS-së, u konfliktuan me disa mbështetës të PD-së. Ngjarja ndodhi më 14 mars, pasi edhe kryeministri Rama edhe kryedemokrati Basha kishin shkuar në Elbasan për Ditën e Verës.

Sipas tij, ngjarja në Elbasan ishte inskenim. Duke qenë se qeveria kontrollon edhe policinë, edhe bashkinë, sipas Metës ishte e pamundur që të dy aktivitetet të ndodhnin në të njëjtën kohë.

“Elbasani është qartë një inskenim. Sepse nuk mund të bëhen dy aktivitete në një orë. Ishte detyra e qeverisë, dhe qeveria ka edhe policinë, edhe bashkinë”.

Ai tha se detyra e qeverisë është të mos i lejojë përplasjet.

“Pra detyra e qeverisë, e cila ka të gjitha institucionet qendrore dhe vendore ishte, të mos krijonte përplasje”.

Gjithashtu, Meta shtoi se për të është i rëndësishëm procesi zgjedhor dhe jo rezultati.

“Kjo është një betejë për jetë a vdekje për 100 vitet që do të vijnë. Zero interes se kush fiton, interesi im është vetëm Procesi Zgjedhor”.

Mungesa e dhënies së informacionit

Në emisionin e drejtuar nga gazetari, Çim Peka, Meta tha se, prej vitesh, Ministria e Drejtësisë nuk i jep presidentit asnjë informacion që kërkon, për çështjen e pronave të Komunitetit Fetar. Gjithashtu akuzoi Ministrinë e Mbrojtjes, nuk i jep asnjë informacion atij si Komandanti i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura për pronat e ushtrisë.

“Për çdo pronë që ata kanë dhënë në mënyrë të paligjshme, do të mbajnë përgjegjësi. Ata që i kanë dhënë, janë kandidatë për deputet të mazhorancës”.

Gjithashtu ai tha se kryeministri Rama është peng i kriminelëve.

“Ky është një ballafaqim midis instalimit të autokracisë dhe kleptomanisë në këtë vend, në shërbim të interesave të të tjerëve, Rama është thjesht një peng i tyre”.

Akuzat drejt ministres së Drejtësisë

Meta u pyet nëse do t’i drejtohej Gjykatës Kushtetuese në rast se zgjedhjet nuk do të ishin të rregullta. Ai u shpreh se do t’i drejtohej gjykatave ndërkombëtare. 25 prilli, tha Meta, është përgjigjja që populli do t’i japë qeverisë.

Në fund, Meta hodhi akuza edhe ndaj ministres së Drejtësisë. Ai tha se ajo duhet të ishte pas hekurave.

“Ministrja e Drejtësisë sot duhet të ishte në burg. Përgjigjen, që ende nuk e ka marrë nga drejtësia, do ta marrë më 25 prill nga qytetarët e Tiranës”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore