Sport

Icardi ‘show’, PSG shpartallon Angers-in në Kupë


PSG ka kaluar në gjysmëfinalen e Kupës së Francës, pasi ka mundur me rezultatin e thellë 5-0, Angers-in në çerekfinale.

PSG u përballë me Angers-in në “Parc des Princes”, në një ndeshje ku Mauro Icardi tregoi gjithë potencialin e tij.

Ndeshja u dominua totalisht nga vendasit. Goli i parë i takimit erdhi në minutën e nëntë nga Icardi, pas një asisti të Julian Draxler-it. Në minutën e 23, mbrojtësi i djathtë i Angers-it, Vincent Manceau shënoi autogol. Pjesa e parë do të mbyllej me shifrat 2-0.

Pjesa e dytë filloi përsëri me ritëm të lartë nga vendasit. Goli i tretë do të vinte në minutën e 65, nga braziliani Neymar. Tre minuta më vonë, Icardi shënoi për 4-0, pas asistit nga bashkëkombasi i tij, Angel di Maria.

Icardi do të vuloste shifrat e takimit në 5-0, në minutën e fundit të kohës së rregullt, duke realizuar edhe tripletën personale.

PSG kalon në gjysmëfinale, duke u bashkuar me Vallieres-in dhe Montpellier-in. Në mbrëmje pritet edhe skuadra e fundit që do i bashkohet katershes gjysmëfinaliste, e cila do të dalë nga ndeshja Lyon – Monaco.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore