Lajme

I riu i Gjilanit, Kryetar


Kandidati i Vetëvendosjes për kryetar të Gjilanit, Alban Hyseni

Jo “kuti magjike”, por gati si nga to, dolën rezultatet nga kutitë e votimit në zgjedhjet e 14 nëntorit.

Lidhja Demokratike e Kosovës, humbi një nga bastionet më të fuqishme që kishte, Gjilanin.

Në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale, Alban Hyseni mori votat e mjaftueshme për të udhëhequr qeverisjen e Vetëvendosjes në këtë komunë për katër vitet e ardhme.

Për herë të parë pas më shumë se një dekade, Gjilani do të udhëhiqet nga një parti e re. I ri është edhe kryetari, vetëm 31 vjeç.

Alban Hyseni ka marrë besimin e 21 mijë e 374 gjilanasve, duke e lënë pas kundër kandidatin e tij nga LDK, Lutfi Hazirin, për 859 vota më shumë.

Alban Hyseni nga LVV, dhe Lutfi Haziri nga LDK

Por kush është kryetari më i ri i Gjilanit, i vendosur në krye të garës nga LVV

Alban Hyseni, u lind më 23 tetor të vitit 1990 në Gjilan. Ai ka studiuar Fakultetin Juridik dhe mban titullin master në programin Juridik Penal.

Në vitin e katërt të studimeve ka filluar punën si tutor studentësh, për të vazhduar më pas si asistent në lëndët e fushës juridiko-penale përgjatë viteve 2013-2015. Më pas ka vazhduar angazhimin akademik si ligjërues i lëndëve juridiko-penale.

Ai para se të hynte në këtë garë elektorale për Gjilanin, ishte i njohur për angazhimet e tij në pozitat e Zyrtarit për Marrëdhënie me Jashtë (2013-2014).

Hyseni ishte edhe Zyrtar i Cilësisë (2014-2016), pastaj edhe Sekretar i Përgjithshëm i Kolegjit “ARBËRI” dhe Koordinator i Kolegjit UBT në Gjilan.

Po ashtu, ai është pjesë e stafit akademik në kuadër të Fakultetit Juridik për lëndët e fushës Penale. Vazhdon të jetë i angazhuar në Kolegjin UBT.

Alban Hyseni është aktivist i LVV-së që nga viti 2010.

Është anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes tash e dy mandate dhe aktualisht është koordinator i Qendrës së Lëvizjes në Gjilan.

Në zgjedhjet e vitit 2019 u zgjodh deputet i Kuvendit të Kosovës, ku u angazhua në Komisionin Parlamentar për Legjislacion, Mandate, Imunitete dhe Rregullore të Kuvendit, si dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit.

Në zgjedhjet e vitit 2021 si kandidati më i votuar nga Gjilani për Kuvendin e Kosovës, u rizgjodh deputet i legjislaturës së tetë.

Alban Hyseni jeton në Gjilan, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

Cili është plani i Hysenit për menaxhimin e projekteve të komunës së Gjilanit?

Alban Hyseni, ka paraqitur tri projekte për zhvillim ekonomik në komunën e Gjilanit.

Ai ka thënë se projektet përfshijnë krijimin e Zonës Ekonomike, shfrytëzimin e kapitalit financiar dhe intelektual të mërgatës, dhe zhvillimin e agroturizmit dhe turizmit rural.

“I kemi tri projekte kryesore për zhvillim ekonomik, i pari është Zona Ekonomike, një investim prej 7 milionë euro. Projekti i dytë është shfrytëzimi i kapitalit financiar dhe intelektual të mërgatës. Bashkërisht të hapim biznese ose start-up të reja në fushën e teknologjisë”.

“Ndërkaq projekti i tretë është agroturizmi dhe turizmi rural që zhvillimin ekonomik ta decentralizojmë edhe deri te bujku dhe fermeri përmes një investimi prej 1,6 milionë euro”, shprehej Hyseni në një intervistë televizive.

Madje, Hyseni ka premtuar realizimin e projekteve të tij për krijimin e zonave të gjelbra në këtë komunë.

Ai pati thënë se kanë në projekt investimet në dy liqenet artificiale të Gjilanit, ku do të ndërtohen qendra rekreative e sportive.

“Do të krijojmë zona të gjelbra. Në projektin tonë i kemi dy projekte më të mëdha, te penda e Livoçit dhe në pendën e Përlepnicës që përfshin krijimin e dy qendrave rekreative- sportive”.

Kandidati i Vetëvendosjes për kryetar të Gjilanit, Alban Hyseni

“Para shumë vitesh mbi liqenin e Përlepnicës ka ekzistuar një park për lojëra tradicionale, që është unike e që i duhet Përlepnicës, që nuk e sheh gjithkund e që mund të shndërrohet në turne të përvitshëm në Gjilan. Projekti i tretë është krijimi i rripit të gjelbër e që ka për synim rritjen e hapësirës së gjelbër. Po ashtu do të kemi edhe “Green Pockets” në të gjithë qytetin”, ka thënë Hyseni.

Sipas Hysenit, këto hapësira do të kushtojnë 2.1 milionë euro.

Po ashtu, ai ka premtuar mjek familjar për secilën lagje të komunës së Gjilanit, ndërkohë që ka shtuar se shumica e problemeve në arsim do të eliminohen nga mënyra se si kanë planifikuar ta menaxhojnë arsimin.

Ai beson se arsimi është shtylla e parë e cila e çon një shoqëri drejt zhvillimit.

Me fokus në zhvillimin e kualitetit arsimor, këto janë pikat të cilat janë paraparë të përmbushen gjatë katër vjetëve të ardhshme.

Do të ketë ndërtim të çerdheve të reja, arsim tërë ditor -Shkolla Model, dollapë individuale për nxënës, laboratorë dhe kabinete.

Në anën tjetër, Hyseni, ka deklaruar se brenda mandatit të Qeverisë Kurti 2, do të përfundojë autostrada Gjilan-Prishtinë.

Hyseni ka folur edhe për stadiumin e qytetit.

“Stadiumin e qytetit po e presim tash e pesë vite thuajse për t’u përfunduar, me autostradë është e njëjta qasje”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore